
Qeveria holandeze mund t'i ndalojë nëpunësit publik të përdorin Facebook për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e të dhënave në platformë, raportoi të hënën gazeta De Telegraaf. Ministrja e dixhitalizimit, Alexandra van Huffelen i tha gazetës se një raport zyrtar mbi këtë çështje ishte në pritje.
Ajo tha se qeveria kishte rezerva të gjata për mënyrën sesi Meta, kompania mëmë e rrjetit social në SHBA, trajton informacionin e ndjeshëm të përdoruesve. Nëntorin e kaluar, Autoritetit Hollandez për Mbrojtjen e të Dhënave (AP) iu kërkua të këshillonte nëse zyrtarët qeveritarë duhet të përdorin Facebook. Së shpejti pritet të japë një përgjigje, shtoi van Huffelen.
Burimet i thanë De Telegraaf se një memo që vendos një ndalim ishte duke u përgatitur pasi zyrtarët holandezë e konsideruan reagimin e Metës ndaj shqetësimeve të tyre si joadekuat. Po bëhen përgatitjet në nivel qeveritar për të shkëputur platformën, pohoi raporti.
Vitin e kaluar, qeveria e kryeministrit Mark Rutte i ndaloi zyrtarët qeveritarë të instalonin aplikacionin për ndarjen e videove TikTok në telefonat e tyre të punës, duke përmendur shqetësimet për spiunazh të mundshëm. Shërbimi është në pronësi të kompanisë kineze Bytedance.



