
Në Tiranë është mbajtur protesta e pestë radhazi kundër projektit të ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit, në Vlorë. Protestuesit vijojnë të kërkojnë anulimin e planit për ndërtimin e resortit luksoz, që sipas qeverisë parashikohet të kapë një vlerë prej rreth 4 miliardë dollarësh.
Gazetari Mariglen Kume, deklaroi për emisionin “Të Paekspozuarit”, se protesta e radhës e planifikuar për të shtunën pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe dhe organizim më të strukturuar.
Protesta para Kryeministrisë ka zgjatur për më shumë se tre orë, ndërsa pjesëmarrësit kanë qëndruar në shesh duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe kërkesat drejtuar qeverisë.
Në protestë kanë marrë pjesë grupe të ndryshme qytetarësh, ndërsa një pjesë e protestuesve kanë qëndruar gjatë gjithë kohës përpara Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe anulimin e projektit.
Pjesëmarrja ka qenë e lëvizshme, me qytetarë që i bashkohen dhe largohen gjatë zhvillimit të protestës, ndërsa bie në sy qëndrueshmëria e disa grupeve dhe përbërja e tyre.
Sipas burimeve të mia, organizatorët kanë paralajmëruar se protesta e së shtunës do të jetë më e madhja deri tani, si në numër pjesëmarrësish ashtu edhe në organizim.



