Bashkimi Evropian ka ndaluar transportimin e mbeturinave plastike të pa riciklueshme në vendet në zhvillim nga 1 Janari.
Kjo pasi sasia e madhe e plastikës, dërguar në këto vende shpesh nuk trajtohet si duhet. Një pjesë e madhe e këtyre mbetjeve përfundojnë në deponi, oqean ose digjen pasi këto vende nuk kanë kapacitet për të trajtuar në mënyrë të qëndrueshme mbetjet.
"Mbetjet plastike po na tërheqin vëmendjen nga çështjet reale të klimës" shkruhet në një studim dedikuar këtij fenomeni.
Sipas rregullave të reja, vetëm mbeturinat e pastra plastike të cilat mund të riciklohen lejohen të eksportohen në vendet jo-OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim). Për më tepër, janë miratuar masa më të rrepta për eksportin e mbetjeve plastike nga BE në vendet e OECD dhe dërgesat brenda BE të mbetjeve plastike.
Çdo vit, evropianët gjenerojnë 25 milion ton mbeturina plastike, por më pak se një e treta e tyre arrin të riciklohet. Në të gjithë botën, plastika përbën rreth 85 përqind të mbeturinave tw cilat grumbullohen nga plazhet.
Fushata për të kufizuar këtë lloj eksporti të mbeturinave kontribuon në strategjinë e plastikës në BE, e cila synon të zvogëlojë përdorimin e plastikës dhe të inkurajojë klasifikimin dhe riciklimin më të mirë në të gjithë kontinentin.
Sipas strategjisë së re plastike:
Të gjitha paketimet plastike në BE do të riciklohen deri në vitin 2030.
Konsumi i plastikës një përdorimshe do të zvogëlohet.
Do të kufizohet përdorimi i qëllimshëm i mikroplastikave.



