
Të paktën tetë të vrarë, 6 fëmijë dhe dy punonjës, është bilanci i një sulmi me armë zjarri në një shkollë shtetërore në San Paolo, Brazil.
Sipas policisë braziliane, dy meshkuj të maskuar hynë në shkollën “Raul Brasil” rreth orës 09:30 dhe qëlluan me armë ndërsa nxënësit ishin në pushim. Më pas dy atentatorët u vetëvranë.
Të paktën 17 veta, kryesisht fëmijë, janë plagosur dhe janë dërguar në spital. Disa prej tyre janë në gjendje kritike. Shkolla e vendosur në Suzano, 50 km nga Sao Paolo, ka rreth 1000 nxënës të moshës 11-15 vjeç.
Policia tha se për momentin nuk ka asnjë motiv për ngjarjen e rëndë.
Dy atentatorët dyshohet se janë të moshës 20-25 vjeç. Ata kanë përdorur pistoleta të kalibrit 38 si dhe bomba të përgatitura vetë.
Pavarësisht se Brazili njihet si një nga vendet më të dhunshme, megjithatë sulmet me armë në shkollë janë të rralla. Ligjet për armët janë të ashpra në Brazil, por pavarësisht kësaj nuk është e vështirë të blesh një armë në rrugë të paligjshme.



