Ikona e muzikës pop Madonna ka deklaruar të hënën se shteti rus e ka gjobitur për shkak të fjalimit që mbajti në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBT gjatë koncertit të saj të fundit në Rusi.
Gjykata ruse nuk e ka pranuar se ekziston një vendim i tillë.
Në shfaqjen e saj në 8 gusht 2012, në Shën Petersburg, Madonna u shpreh para turmës se "njerëzit gei këtu dhe në të gjithë botën kanë të njëjtat të drejta për t'u trajtuar me dinjitet, me respekt, me tolerancë, me dhembshuri, me dashuri."
Këngëtarja ndau një video të fjalimit të hënën në faqet e saj në mediat sociale.
"Unë u gjobita me 1 milion dollarë nga qeveria për mbështetjen e komunitetit gei. Unë kurrë nuk e kam paguar… ”, ka shkruar ajo.
Në atë kohë, Madonna po bënte fushatë gjithashtu në mbështetje të Pussy Riot, grupi punk, anëtarët e të cilit ishin në gjyq për performancën e tyre të "lutjes punk" kundër Putinit në një katedrale të Moskës.
Pas postimit në mediat sociale të këngëtares, sistemi gjyqësor i Shën Peterburgut tha se dy grupe aktiviste ruse kishin ngritur padi kundër saj për atë që ata pretenduan se ishte propagandë, duke mos pranuar që vetë shteti kishte gjobitur këngëtaren.
Këngëtarja e njohur e ngriti këtë pretendim një javë pasi ligjvënësit rusë miratuan ligjin që do të ndalonte martesën e të njëjtit seks në përputhje me ndryshimet e fundit të Kushtetutës të Presidentit Vladimir Putin.
Ekspertët ligjorë dhe grupet e të drejtave kanë shprehur shqetësimin se ndalimi kushtetues i martesave LGBT do të inkurajojë pikëpamjet anti-gei në të gjithë Rusinë.
Në vitin 2013, 20 vjet pasi Rusia dekriminalizoi homoseksualitetin, Putin nënshkroi ligjin që ndalon "propagandën homoseksuale ndaj të miturve" që është përdorur që nga ajo kohë për të mbyllur ngjarjet e demostratave homoseksuale.
Madonna nuk është kthyer në Rusi që nga turneu i saj në vitin 2012. Ajo tha në vitin 2015 se nuk do të performonte kurrë në Moskë ose Shën Petersburg për shkak të qëndrimit të Rusisë për të drejtat e homoseksualëve.



