
Ekzekutimi i Nezir dhe Gentian Beqirit më 15 gusht të vitit 2012 ka kaluar për veprime të mëtejshme hetimore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Të dyshuar për këtë ngjarje janë Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Ervis Bardhi. Gjykata e Elbasanit ka shpallur moskompetencën për të vijuar gjykimin e kësaj çështje pasi nga prokuroria është ngritur edhe akuza e “grupit të strukturuar kriminal”. Ardian Çapja vazhdon të marrë mjekim në spitalin e burgut pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale në QSUT. 53-vjeçari u arrestua më 29 mars gjatë operacionit “Krasta 2021”, ndërsa nipi i tij Florenc Çapja është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme pritet të rivlerësojë masën e sigurisë për të dyshuarit për vrasjen e babë e bir. 53-vjeçari Ardian Çapja i ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Elbasanit. Kjo dosje është rihapur në vitin 2018, pas disa vitesh pezullim pasi grupi hetimor gjeti gjurmën e gishtit të Ervis Bardhit në targën e automjetit që u përdor nga autorët për t’u larguar pas vrasjes së babë e bir. Rreth një vit më vonë, Bardhi është paraqitur në komisariatin e policisë së Elbasanit dhe ka pranuar të rrëfejë gjithçka që dinte para hetuesve duke marrë edhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Bardhi ka pranuar se ka vrarë më 4 plumba në kokë Gentian Beqirin për llogari të Çapjave dhe si shpërblim ka marrë 50 mijë euro. Sipas prokurorisë së Elbasanit deklarimet e tij përputhen me provat dhe procesverbalet e mbajtura nga hetuesin në kohën kur u vranë Nezir dhe Gentian Beqirit. Çapjat dyshohet se kanë porositur vrasjen e Beqirit pasi ky i fundit po gjykohej për vrasjen e Sokol Çapjas ngjarje e ndodhur në 2005-ën. Gjatë 2012-ës policia e Elbasanit e kishte shoqëruar Florenc Çapjan, por ky i fundit kishte një alibi të fortë pasi kishte qenë jashtë Shqipërisë natën e vrasjes.



