Qeveria shqiptare ka njoftuar atë që po konsiderohet si rritja më e madhe e pagave e realizuar ndonjëherë për punonjësit e Policisë së Shtetit. Duke filluar nga data 1 janar, të gjithë efektivët e uniformave blu do të përfitojnë një rritje të ndjeshme të pagës së tyre mujore.
Punonjësit e thjeshtë të policisë do të përfitojnë një rritje prej 20 mijë lekësh të reja në muaj, efektivët me grada më të larta, duke përfshirë strukturat deri te drejtuesi madhor, do të përfitojnë një rritje prej 15 mijë lekësh të reja.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e kanë vlerësuar këtë hap si një masë të domosdoshme dhe të konsiderueshme për të rritur dinjitetin dhe motivimin e forcave të rendit.
Ky zhvillim vjen në një moment mjaft delikat dhe të tensionuar në vend. Ditët e fundit, Shqipëria është përfshirë nga protesta të shumta, të cilat në raste të caktuara kanë degraduar në akte dhune dhe përplasje të forta fizike mes qytetarëve dhe policisë.
Gjatë këtyre menaxhimeve, uniformat blu kanë qenë në shënjestër të kritikave dhe akuzave të ashpra nga protestuesit për mënyrën e ndërhyrjes dhe menaxhimit të situatës në terren.
Në vlerësim të këtij angazhimi në kushte të vështira, qeveria miratoi pak ditë më parë edhe një shpërblim të jashtëzakonshëm prej 2,500 eurosh për mbi 2,800 efektivë që u angazhuan drejtpërdrejt në vijën e parë të përballjes gjatë protestave.



