Afro 550 besimtarë myslimanë dyshohet se kanë humbur jetën gjatë haxhit në Mekë. Duke folur në MCN Live hoxhë Hajredin Dizdari vë në dukje se shpesh të vdekur konsiderohen njerëz të humbur, që më pas gjenden. Ai thekson se nuk ka asnjë shqiptar të humbur, sepse janë të organizuar në grup dhe ndjekin udhëzimet.

"Këto janë situata të parashikuara. Paralajmërime ka sa i përket të nxehtit nga vet ministria, për njerëzit që kanë sëmundje, që janë të dobët fizikisht, që ta shtyjnë haxhin. Ka njerëz që preferojnë ta kryejnë haxhin më shumë se njëherë, apo shikojnë se mund të jetë hera e fundit që mund ta kryejnë këtë haxh, edhe sërish e marrin përsipër këtë sakrificë. Rastet kur humbet jeta janë realisht të rralla. Ne kemi haxhien më të vjetër, Sara nga Algjeria, 130 vjeçe, që e ka kryer haxhin dhe është kthyer në vendin e saj. Temperaturat arrijnë edhe 46-47 gradë. Në territorin ku kryhet ajri ka ajër të ftohtë dhe ajër me ujë. Shikon shumë policë dhe ushtarë që tejkalojnë detyrën dhe i marrin hanxhinjtë edhe mbi supe që ta kryejnë haxhin. Është një atmosferë shumë vllazëror. Jetët e humbura s’janë akoma të konfirmuara. Ato për të cilat mediat flasin janë njerëz që shkëputen nga grupi dhe s’i ndjekin udhëzimet. Është e vështirë të humbasësh në haxh, sepse çdo rit është i përcaktuar. Por ka individë që s’ndjekin udhëzimet e policisë. Ata humbasin për një kohë të shkurtër dhe gjenden nga policia. Shumë nga këta njerëz që konsiderohen të vdekur, janë të humbur dhe gjenden. Janë mbi 1,83 milionë haxhilerë”.
I pyetur nëse ka shqiptar të humbur, ai shprehet:
"Shqiptarë s’ka pasur të humbur, sepse është e vështirë të humbasësh nëse je në grup, nëse u bindesh rregullave dhe udhëzimeve. KMSH bën një punë të mrekullueshme duke i përgatitur njerëzit për haxh. Çfarë adhurimesh do kryejnë, të mos shkëputen nga grupi”.
I pyetur si mund të shkojë një shqiptar në Mekë, Dizdari thotë:
"E para gjë duhet të jesh besimtar mysliman. Kuota këtë vit për haxhin ka qenë 6 mijë euro, që i mbulon të gjitha shpenzimet, fjetja në Mekë, Medinë, kujdesi shëndetësor. Bëhet disa muaj pagesa para se të fillojë haxhi, dhe më pas fillon trajnimi nga hoxhallarët”.



