
Sekretari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Bujar Muço, për rritjen me 7.1% të indeksit të çmimeve të konsumit dhe inflacionin 7.4%, përmend si faktor kryesor krizën globale si pasojë e luftës në Ukrainë.
Në një lidhje për MCN Economy, ai deklaroi se kriza globale në Shqipëri ka qenë vetëm 50% ndikuese dhe se 50% tjetër vjen prej faktorëve të tjerë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve.
Në radhë të parë mbi 80% e produkteve i kemi importi, ne jemi të varur nga importi. Të gjitha kompanitë e mëdha kanë rritur çmimet se u janë rritur kostot.
Në radhë të parë çmimi i lartë i karburantit që ka ndikuar drejtpërdrejtë në produktet që importohen, taksat e larta dhe tarifat që paguajnë në zhdoganime.
Edhe pse pjesa kryesore ka qenë kriza globale. Biznesi i vogël dhe i mesëm nuk është përcaktues në çmime, se jemi të detyruar sipas produkteve që marrim nga kompanitë, të ruajë normën e fitimit të mbijetesës.
Edhe tek ne ka biznese që detyrohen të abuzojnë me çmimet, se norma e fitimit dhe fuqia blerëse ka rënë në minimum.
Lidhur me bordin e çmimeve nëse ka qenë efektiv, Muço u shpreh kundër ngritjes së këtij bordi, duke thënë se ishte ndrydhje e konkurrencës së drejtpërdrejtë.
Në vijim tha se nuk kanë qenë kurrë kundër kontrollit në mënyrë të vazhdueshme, sidomos për çmimet e produkteve të shportës.
Qeveria ka ndërhyrë dy herë në 6 vjet në rritjen e rrogës minimale dhe efektet e saj nuk kanë qenë të ndjeshme, se rrogat minimale i kemi më të ulëtat në rajon dhe nuk është ndërhyrë në sektorë të tjerë, në pensione, në asistenca dhe në ndihma sociale.
Ne si biznes i vogël dhe i mesëm kemi lidhje me konsumatorin, kur ata janë të varër, ndihmat janë të ulëta, efekti i të gjitha gjërave bie, prandaj janë mbyllur mijëra biznese.
Kjo ka qenë ndikuese me politika jo të drejta të qeverisë, nuk ka suportuar qeveria, për të mbajtur në inflacionin që ka qenë më parë.
Bordi ishte dështim që u krijua në fillim, na është bërë thirrje nga Ministria e Financave që dhe ne të merrnim pjesë në këtë bord dhe e kemi refuzuar dhe kemi dhënë argumentet se pse ky bord nuk ishte efikas.
Në mënyrën si u ndërtua e dinim që në fillimet e para që do ishte dështim, ndaj e kemi kundërshtuar, tregu i lirë nuk mund të ndrydhet me borde se qeveria ka levat e saj për të mbajtur nën kontroll çmimet e shportës.
Nuk u bë asnjëherë transparencë sa herë u mblodh, kush ishin pjesë e bordit, besoj se ky bord ishte një krijim i disa oligarkëve.
Përderisa ky bord nuk doli efikas dhe nuk ruajti ekuilibrat e çmimeve, ky nuk ishte bord, por grup abuziv që lëviznin sipas interesave të oligarkëve dhe qeverisë.
Sipas tij, fuqia blerëse ka rënë me 40% dhe shumica e bizneseve të vogla dhe të mesme janë në kufijtë e mbijetesës dhe po hanë pak nga “dhjami i vjetër” që kanë mbledhur ndër vite.
Muço ngriti si shqetësim mungesën e fuqisë punëtore dhe të kualifikuar, duke thënë se nuk janë në gjendje që të mbajnë të punësuarin, për shkak të mundësive ekonomike të pakta.
Në këtë linjë cilësoi si çështjen kryesore të situatës ku ndodhemi, politikat e gabuara dhe se të papunët që dalin nga bizneset e mbyllura ose shkojnë për ndihmë sociale, ose largohen nga vendi, për shkak se nuk ka më biznese të reja që hapen ose ato që hapen janë në pozita të disfavorshme.



