
Kompania e kateringut të ushqimit “Sori-al” në pronësi të Alma Tafanit, qëndron pas helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë së Policisë.
Mësohet se studentët e Akademisë së Sigurisë shfaqën shenja helmimi, pasi konsumuan drekën e furnizuar nga kompania e themeluar nga Nikolin Jaka, e administruar nga bashkëshortja e tij Alma Tafani duke bërë që shumë prej tyre të përfundojnë në spital.
Kompania nën akuzë, furnizon me ushqim të tre vaktet ushqimore për studentët.
Ndërkohë pas ngjarjes në fjalë dhe referimit të çështjes në polici, Tafani është shpallur në kërkim.
Sakaq janë arrestuari kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe teknologia Kristjana Plaka, e cila punonte për kompaninë e kateringut. Nga ana e saj e shpallura në kërkim rezulton të jetë jashtë shtetit.
Lidhur me ngjarjen policia tha zyrtarisht se:
Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:
-arrestuan në flagrancë shtetasit Kujtim Ballgjini, 52 vjeç dhe Kristjana Plaka, 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;
-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen Alma Tafani, 52 vjeçe.
Punohet për kapjen e shtetases Alma Tafani, individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.



