Pesë vajzat e ndaluara disa ditë më parë si pjesë e një grupi që merrej më prostitucion online janë marrë në pyetje nga hetuesit. Vetëm pak ditë pas arrestimit në kuadër të operacionit “Chat line 3”, gjykata caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Gjatë marrjes në pyetje të kuadër të hetimit, ato kanë rrëfyer mënyrën se si funksiononte puna në studion në Tiranë nga ku komunikonin online me klientët.
Sipas Prokurorisë, vajzat prej disa kohësh ofronin shërbime seksi online, biseda dhe veprime seksuale para një web-kamere, përmes një faqeje interneti nga ambientet e një apartamenti të marrë me qira nga Dafina Tresa dhe Artur Bakalli.
Dy të fundit po hetohen përkatësisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “arrest në burg” për akuzën e “mbajtjes së lokaleve për prostitucion” dhe për “shfrytëzim të prostitucionit”. Prokuroria e Tiranës ka dyshime se studioja e zbuluar është vetëm një nga shumë të tjera të këtij lloji në Tiranë. “Panorama” zbulon detaje nga rrëfimi i vajzave para prokurorëve.
BRITANIKU I VETMUAR
Vajza, e cila siguronte më shumë fitime se shoqet e saj të së njëjtës studioje erotike, ka rrëfyer se klienti i saj më i rregullt ishte një shtetas britanik. “Ai ishte një njeri tejet i vetmuar. Më kontaktonte shpesh dhe kërkonte të qëndronte gjatë në linjë. Kërkonte t’i flisja me fjalë të pista dhe të bëja veprime të ndryshme seksuale për të”, ka rrëfyer ajo para hetuesve. Sipas Prokurorisë, vajza në fjalë, e cila ishte e preferuara e britanikut të vetmuar, siguronte fitime që kapnin shifra deri në 4 milionë lekë të vjetër në një muaj.
REKRUTIMI
Sipas rrëfimeve të administruara nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore, vajzat janë vënë në dijeni të punës në studion erotike përmes njëra-tjetrës. “Ishte një shoqe që ma propozoi këtë punë. Nuk e dija saktësisht se ç’do bëja. Më tha, hajde se do të fitosh mirë. Unë kisha nevojë për para”, ka rrëfyer njëra prej vajzave. Nga dëshmitë e të rejave, kryesisht studente, ka rezultuar se pasi shkonin në studion e 33-vjeçares Dafina Tresa, ishte kjo e fundit që merrte situatën në dorë. “Ishte ajo që na hapte një llogari në faqen “Adult work” me një pseudonim, numrin e llogarisë, ku klientët paguanin me kartë dhe na tregonte se ç’duhet të bënim”.
Ato kanë rrëfyer edhe si e maskonin para familjarëve të tyre punën që bënin. “Familjeve u kemi thënë që punojmë në CallCenter dhe që flisnim me të huaj. Ata nuk e dinë se çfarë bënim në të vërtetë”, kanë dëshmuar ato.
DY MOTRA
Dy nga pesë vajzat e arrestuara dhe më pas të lëna në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” nga Gjykata, janë motra me njëra-tjetrën. Fillimisht, në rrjet është përfshirë motra e madhe, 20 vjeçe. Referuar deklarimeve të tyre, pas një fare kohe, ajo ka “futur në valle” edhe motrën e saj një vit më të vogël.



