
Këshillimi Kombëtar është një nismë e qeverisë për të dëgjuar mendimin e qytetarëve, e cila do të zhvillohet përmes një pyetësori, ku një ndër to është dhe legalizimi i kanabisit mjekësor.
MCN ishte në Lazarat, fshatit që u stigmatizua për kultivimin e bimëve narkotike. Gazetarja Alida Lula sjell opinionet e banorëve se si është pritur kjo nismë dhe çfarë kërkojnë ata në këmbim të legalizimit.
Banorët stepen fillimisht të flasin përpara kamerave, madje një pjesë e banorëve bëjnë fajtor dhe shumë media që nuk pasqyrojnë realitetin.
Skeptikë për propozimin e kryeministit, nuk ngurojnë të flasin dhe se kush do të jenë përfituesit nga legalizimi i kanabisit. Lazaratasit janë të gjithë në një mendje nëse i pyet: Ata thonë se u përdorën si fshat dhe si popull. Pasoja që po i vuajnë edhe sot, me një imazh të keq dhe 150 vetë që u dënuan me burg. Kërkesa është për të liruar “djemtë” e arrestuar.
E pranojnë se u përfshinë të gjithë në kultivimin e kanabisit, sidomos pas vitit 2012, kohë kur në plantacionet e kanabisit kishte punëtorë nga e gjithë Shqipëria. Ishin të ndërgjegjshëm se kultivimit masiv të kanabisit do t’i vinte fundi, periudhë që edhe sot ka lënë gjurmë të thella. Shenjat e asaj epoke të lulëzimit të kanabisit kanë mbetur si dëshmi. Magazinat ku dikur grumbullohej, thahej e paketohej, cisternat e ujit, kazanët që përdoreshin për mbjelljen e hashashit dhe llastikat për vaditjen e bimëve…..
Sot kontrasti është i dukshëm. Zhurma e armëve, mungesa e rendit, makinat e shtrenjta, lakmia për të ngritur shtëpi me sa më shumë kate, duket se i përkasin një epoke të kaluar. Por, si jeton ky fshat më i madhi në Shqipëri pas historisë së drogës?
Dhe pse i përfshirë në projektin e 100 fshatrave, ende asnjë shenjë e për investime. Turistët e huaj që kanë lexuar historinë e përplasjes famëkeqe me policinë pak vite më parë, kur shkojnë në Gjirokastër, qytetin e UNESKO-s, pyesin për Lazaratin dhe plantacionet e tij?
Sot fshati nuk ka asgjë, pavarësisht se nuk kanë munguar as tenatativat për të rimbjellë. Por nuk ka as ujë të pijshem. Njerëzit kanë zbritur poshtë për të qenë më pranë mundësisë për furnizim me uje. Pjesa me e madhe kanë ikur.
Jeta sot në Lazarat rrjedh me ritme të ngadalta…
Dikur fshati kishte rreth 3500 banorë, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 1500. Në 2 shkollat 9 vjeçare dhe gjimnaz, numri sa vete dhe bie pasi popullsia është tkurrur.



