
Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar sot gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, që do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar.
Ky vendim ka sjell reagime të shuma edhe nga Tirana zyrtare.
Pas mbërritjes në Kroaci, Presidenti Meta është njohur me këtë vendim dhe e ka përshëndetur.
Kreu i shtetit e ka konsideruar një hap të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.
"Të dashur miq, sapo mbërrita në aeroportin e Lubjanës mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë", shkruan Meta.
Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëher pas miratimit të ligjit për gjuhën shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë.
Rama e cilëson vendimin e parlamentit maqedonas këtë të enjte, si një arritje historike për shqiptarët.
Por në të njëjtën kohë, Rama thekson se ky vendim forcon edhe më tepër vetë Maqedoninë.
“Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë.” shkruan Rama.

Ndërsa Ministria e Jashtme shqiptare ka deklaruar se miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.
"Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane. Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur", shprehet Ministria në deklaratën e saj.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideron si një hap të rëndësishëm për realizimin e statusit të gjuhës.
Basha thekson se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni.
"Partia Demokratike nxit këtë klimë uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimi me atë politik maqedonas, si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe evropiane", shprehet Basha.
Reagimi i Bashës:
Miratimi i sotëm i ligjit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Përshëndes këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni.
Vlerësoj qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni.
Partia Demokratike nxit këtë klimë uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimi me atë politik maqedonas, si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe evropiane.




