
Përmirësimi i situatës epidemiologjike në vend ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të vendosë mbylljen e pavijoneve covid në spitalet Rajonale. Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu teksa e shoqëruar nga kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste Taulant Balla, është ndalur sot në spitalin e Elbasanit, nga ku falenderoi bluzat e bardha për kontributin e tyre të vyer përballë virusit të rrezikshëm.
Sipas Manastirliut prej dy javësh situata në vend është e qëndrueshme, ndërsa sfidë tashmë mbetet shërbimi shëndetësor postcovid për pacientët të cilët shfaqin patologji të ndryshme.
“Mbyllja e pavioneve në spitalet rajonale rikthen në një situatë normaliteti këto spitale dhe flasim këtu për Spitalin Rajonal të Elbasanit, i cili sot nuk ka më pacientë të shtruar. Rastet të cilat do të vijnë të triazhohen në spitalin e Elbasanit do të referohen në spitalin Covid1, në Tiranë. Ashtu sikurse janë në një proces të mbylljes edhe pavioni i infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ai në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Këto ishin tre spitalet apo tre pavionet në tre spitalet rajonale që i’u përgjigjën skenarit të dytë”, deklaroi Manastirliu.
Ndërsa rastet që do të kenë nevojë për hospitalizim nga rrethet, sipas ministres do të dërgohen në spitalin Covid1 në Tiranë.
Ulja e rasteve positive me covid, sipas Manastirliut do të sjellë lehtësim të masave, që do të komunikohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve është duke vlerësuar në dinamikë situatën. Besojmë që brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët janë duke shqyrtuar masat. Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar, graduale. Pra do të ecim me një gradualitet edhe përsa i përket lehtësimit të masave që aktualisht kemi të përcaktuara”, tha Manastirliu.
Në Elbasan nga hapja e pavijonit covid morën trajtim mjekësor rreth 80-të pacientë.



