Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Vendor, në bashkëpunim me Ndërmarrjen “Rruga” dhe Policinë Bashkiake të Durrësit, kanë nisur një aksion për lirimin e kanaleve kulluese parësore dhe dytësore, të cilat ishin zënë nga ndërtime pa leje në të gjithë territorin e bashkisë.
Paraditen e sotme, ndërhyrja u përqendrua në rrugën “Sirius”, në lagjen nr. 13, si dhe në zonën e ish-Kënetës, ku u evidentuan disa prej problematikave më të theksuara.
Sipas autoriteteve vendore, qëllimi i këtij aksioni është rikthimi i funksionalitetit të rrjetit kullues dhe parandalimi i përmbytjeve, veçanërisht në zonat me risk të lartë.
Gjatë operacionit nuk u regjistruan kundërshti nga banorët, ndërsa aksioni pritet të vijojë edhe në zona të tjera të qytetit në ditët në vijim.



