
Kryeredaktori i MCN Tv, Leonard Mitro tha në studion e lajmeve të MCN se numri i pjesëmarrësve në protestën që po zhvillohet aktualisht nga opozita është pothuajse i njëjtë me ato që kemi parë më parë tek protestat e organizuara nga PD-ja.
Mitro u shpreh skeptik se një opozitë me këta numra, me të tillë protagonistë mund të arrijë që në një kohë të shpejtë të sjellë ndryshimin që ndoshta shumë qytetarë e presim.
Numrat janë pothuajse të njëjtë edhe me protestat që kemi parë më parë nga opozitë. Nuk është e vështirë që në çdo seksion të PD në rrethe drejtuesit të mobilizojnë strukturat për të mbledhur në kryeqytet mbështetësit e tyre.
Protesta është pozitive në një pikëpamja se është një hap i mirë që opozita të rimarrë veten, aq më tepër kur qeveria, ose mazhoranca e ka ngushtuar hapësirën demokratike të opozitës si në Parlament dhe në institucione.
Për të rrëzuar një qeveri nevojitet shumë më shumë se kaq. Nevojiten njerëz të rinj, ide të reja, nevojitet po ashtu frymë opozitare. A i kemi këto elementë në mënyrë që të shpresojmë se opozita do të përmbysë siç e cilëson regjimin autokratik të Ramës. Jam skeptik dhe i rezervuar të them që një opozitë me të tilla numra, me të tillë protagonistë mund të arrijë që në një kohë të shpejtë të sjellë ndryshimin që ndoshta shumë qytetarë e presim, por duket i largët.
Duhet të kishte ndodhur vite më parë. Kishte shans të mirë opozita ta rimodelonte veten, me shpalljen non grata të Berishës, por edhe më herët, por u zgjodh rrugë kompromisi dhe sot shohim Berishën të etiketuar apo të prezantuar si të burgosur politik.
Kjo ngre pikëpyetje për idetë që ka opozita për të rifreskuar veten e saj dhe për të sjellë në krye njerëz që do bëjnë diferencën dhe të bindin shoqërinë se plani i opozitës do të jetë më demokratik dhe në funksion të shoqërisë sesa qeverisja aktuale.



