Përfaqësuesi Special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e përjashton mundësinë e diskutimit si opsion të shkëmbimit të territoreve. Në një intervistë për agjencinë austriake APA, Lajçak është shprehur se një temë e tillë as nuk duhej të ishte hapur.
“Kemi parë një reagim shumë të ashpër për shkëmbimin e territoreve – në Kosovë dhe në vendet tjera të rajonit, sikurse edhe në vendet e BE-së. Kjo më bën të them se kjo temë nuk është në rend dite, e as që do të duhej të ishte”, thotë Lajçak, duke shtuar se “na duhet një marrëveshje që qetëson situatën”. Sipas tij, reagimet që erdhën pasi u hodh ideja e shkëmbimit të territoreve e “kanë bërë shumë të qartë” se kjo do të sillte pasoja “krejt të kundërta”.
Lajçak nuk ka komentuar deklaratat e Albin Kurtit për një “marrëveshje të fshehtë” mes dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, duke thënë vetëm se nuk ka parë një plan të tillë.
Po ashtu, ai nuk ka komentuar as pretendimet se SHBA-ja, përmes ambasadorit Richard Grenell, ka qenë e përfshirë në rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit. Lajçak ka theksuar se ajo që ka rëndësi për Kosovën është një qeveri e qëndrueshme që ka mbështetjen e shumicës së Parlamentit dhe qytetarëve.
Lajçak, i cili vjen nga Sllovakia, vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është shprehur se ky fakt nuk paraqet pengesa në ushtrimin e detyrës së tij, pasi në këtë detyrë nuk përfaqëson Sllovakinë, por të gjithë BE-në.



