Bushati: Berisha nuk ishte 'trampist' me bindje, por për interes

Bushati: Berisha nuk ishte 'trampist' me bindje, por për interes

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN, tha se lidhja e Sali Berishës me Donald Trumpin nuk ishte një afrim ideologjik apo i bindjeve të përbashkëta, por një manovër politike e diktuar nga interesi. 

Sipas Bushatit, Berisha nuk ka qenë kurrë një trampist i vërtetë, por “u afrua” me Trumpin për të kundërbalancuar mbështetjen që kundërshtari i tij politik në Shqipëri po merrte nga administrata demokrate amerikane. Kjo lëvizje, ndonëse e diskutueshme moralisht, i solli disa përfitime politike dhe personale.

“Nga dashuritë e mëdha, shpesh humbet më shumë sesa fitohet.

Por unë besoj se për Berishën kjo nuk ishte një dashuri pasionante, por më tepër një lidhje interesi.

Në këtë rast, kur në lojë është interesi, edhe humbja nuk përjetohet me të njëjtën intensitet.

Në fakt, Berisha nuk ka qenë ndonjë mbështetës i zjarrtë i Trumpit.

Nëse analizon gjithë rrugëtimin e tij politik, ai ka qenë më pranë linjës së republikanëve tradicionalë.

Ka pasur simpati për Bushët, për Reaganin – figura që përfaqësonin konservatorizmin klasik amerikan.

Rrethanat e bënë që ai të afrohej me Trumpin. Dhe cilat ishin këto rrethana?

Kundërshtari i tij politik në Shqipëri përfitoi shumë nga mbështetja e administratës demokrate amerikane.

A ishte kjo lëvizje e Berishës e qëndrueshme dhe morale?

Personalisht, bëj pjesë te ata që konsiderojnë afishimin me trampizmin si një gabim të madh politik dhe moral.

Për këtë arsye, ajo që ndodhi më duket si një aleancë oportuniste, një lidhje interesash e përkohshme që i shërbeu vetëm momentit.

Megjithatë, si një manovër politike, i solli disa përfitime.

Fitoi disa suksese të vogla, kryesisht personale.

Për shembull, siguroi disa deklarata që e mbështesnin në përballjen e tij me vendimin "non grata".

U krijua ideja se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të padrejta ndaj tij, e kështu me radhë.

Përdori një kompani lobimi shumë të fuqishme, e njohur për lidhjet me Trumpin dhe për strategjitë e saj ndërkombëtare.

Dhe në njëfarë mënyre, ia arriti t’i heqë Ramës lavdinë e "të preferuarit" të demokratëve amerikanë – lavdi që në zgjedhjet e 11 majit 2021 do ia kishin dhënë natyrshëm.

Edhe po të kishte sjellë vetë Trumpin në Tiranë, nuk kishte për t’i fituar ato zgjedhje – ishin të humbura që në nisje.

Por brenda hapësirës së tij politike, u përpoq të zbusë goditjen që do merrte gjithsesi nga humbja.

Ky ishte, në fund të fundit, përfitimi i vetëm që Berisha arriti nga përqafimi me trampizmin.”

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy