Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, krahasimet e Kryeministrit Edi Rama të kandidatëve për kryebashkiakë me kafshë të ndryshme, si gomarë apo kalë, i sheh si etiketime denigruese dhe fyese.
Nga studio e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se në këtë fushatë, ashtu si në gjithë fushatat e tjera, një karakteristikë e dukshme është që nuk është e përqendruar shumë në programe, por është një fushatë e përqendruar më tepër në sulme personale për të denigruar kandidatët me etiketime personale dhe fyese.
Sipas tij, kjo është më tepër taktikë elektorale që më shumë vihet re te Partia Socialiste, ku gjithë fokusi dhe vëmendja është përqendruar në denigrimin e kandidaturave për kryetarë bashkie.
Në këtë linjë ai shtoi se është zhvendosur fokusoi nga ajo që është karakteristike për një fushatë elektorale për pushtetin vendor, ku kandidatët u adresohen shqetësimeve të komuniteteve përkatëse.
Përkundrazi gati çdo ditë ne po shohim një lloj estrade politike që përdoren figura fyese dhe krahasime të padenja për një politikë serioze.
Një taktikë elektorale e tillë që PS në mënyrë të veçantë nuk e bën rastësisht, nuk është improvizim i çastit, por e menduar mirë për të denigruar kandidatët përballë një elektorati që në 14 Maj do shkojë në kutitë e votimit.
Ndërsa në fushatën e opozitës kryesore “Bashkë Fitojmë”, edhe ajo ka në një dozë të madhe adresimin dhe akuzën personale ndaj Edi Ramës, duke e akuzuar për shumë gjëra.
Por në një pjesë të mirë të fushatës së vetë, iu adresohet dhe problemeve jo aq shumë lokale se sa kombëtare. Ky është problemi kryesor i opozitës.
Ka një stil të vjetër të të bërit fushatë elektorale jo vetëm nga fjalori dhe premtimet, por për fat të keq është retorika e egër që të kujton se dhe 33 vjet pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, ende kemi të njëjtën gjuhë dhe retorikë si atëherë kur demokracia shqiptare sapo hidhte hapat e para. Përdoret fjalor rruge.
Për tre bashkitë kryesore që synon opozita, si Tirana, Durrësi dhe Elbasani, Milo thotë se në disa bashki do të ketë konkurrencë të ashpër mes dy kampeve duke filluar nga Shkodra, Durrësi, Elbasani, Kavaja, apo Vora, ku shprehet se do jetë një luftë e ashpër.
Por ai ndan bindjen se në Tiranë, opozita nuk mund ta rrezikojë bashkinë e Tiranës.
Ende opozita është larg së paturi një fushatë të fuqishme që mund të krijojë bindje dhe tek ai elektorat gri. Se elektorati gri mendon dhe vendos në fund.
Premtimet e kandidatit opozitar, në një farë mase janë tërheqëse për nga përmbajtja e tyre, por çështja e realizimit të tyre, duket paksa si një premtim elektoral, por që në kushtet e Shqipërisë jemi ende larg për ti vërë realitet.
Në Durrës, Elbasan dhe ndonjë vend tjetër do ketë konkurrencë dhe luftë dhe ashpër dhe mundësi për ti fituar këto bashki, por jo Tiranë.
Shkodra dihet që është bastion i së djathtës historikisht dhe shanset janë. Por ka një faktor negativ për opozitën në këtë rast.
Është e përçarë, e ndarë, shkon në bashkinë e Shkodrës minimalisht me dy kandidatura që do marrin votat e së djathtës, opozitës.
Rreziku ekziston që të ndahet vota e së djathtës dhe të shkojë vota te kandidati i PS, ky rrezik ekziston.
Aq më tepër që ka një taktikë elektorale te kampi që mbështet kandidatin e PS, që punohet dhe me të djathtën në forma dhe mënyra të ndryshme, për të rrëmbyer sa më shumë vota për të majtën.
Nuk e përjashtoj një rezultat surprizë, por nëse e djathta unifikohet dhe përqendrohet, mund ta mbaj bashkinë e Shkodrës.
Lidhur me retorikën e kandidatëve për kryebashkiakë që lënë shumë për të dëshiruar në fjalimet e tyre para publikut, Milo tha se për fat të keq në Shqipëri nuk votohet kandidati, por partia, pavarësisht kandidatit.
Për fat të keq, mund të kesh kandidat shumë të mirë, por nëse partia urdhëron shumicën, militantët në rresht shkojnë dhe votojnë, gjithmonë gati. Këdo që të vësh po qe se e thotë partia do e votosh.
Kjo tregon një nivel të ulët kulturor të elektoratit shqiptar. Vetëm në qytete ka një mjedis më ndryshe, mund ta bëjnë dallimin mes kandidatit për kryetar bashke dhe partisë.
Por në përgjithësi kush ka kandidatë të mirë të goditur dhe ka, por ka kandidatë që për hir të vërtetës nuk meritojnë jo që të jenë kandidatë për kryetarë bashkie, por as për këshillat bashkiakë.
Mjaft prej tyre nuk dinë të artikulojnë dy fjalë, jo më të prezantojnë programin.
Sa i takon qëndrimit të amerikanëve në këto zgjedhje, Milo tha se SHBA-të kanë dhënë të kuptojnë se janë neutral në këtë rivalitet politik për zgjedhjet e pushtetit vendor.
Dhe politika s’duhet të ndërhyjë dhe për rrjedhojë deklaratat zyrtare nuk lënë të kuptosh se ku janë, kë mbështesin.
Por nuk mund të themi që SHBA mirëkuptojnë apo mbështesin opozitën, pjesë e së cilës është dhe zoti Berisha.
Se do të kompromentonin qëndrimin e tyre ndaj zotit Berisha. Por nuk ka shans as të nënkuptuar që SHBA të mbështesin opozitën.



