
Arlind Qori është zyrtarizuar si kandidat i Lëvizjes “Bashkë” për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme të dekretuara për 9 nëntor 2025. Lëvizja "Bashkë" ka bërë të ditur se do të garojë e vetme, pa hyrë në aleanca me partitë e opozitës.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Qori u shpreh se një fitore e tij në Tiranë do të kishte pasoja të forta edhe në nivel kombëtar, duke tronditur qeverinë aktuale.
Nëse më votojnë qytetarët e Tiranës, për punë javësh bie qeveria. Do të ishte një tronditje politike e jashtëzakonshme dhe Edi Rama nuk mund të qëndronte më në krye të qeverisë.
Fushata jonë nuk është vetëm për Bashkinë e Tiranës. Efektet do të jenë edhe në nivelin qendror. Kjo është një fushatë për Shqipërinë. Kryetari i Bashkisë ka kompetenca të rëndësishme, dhe unë kam mbështetjen, guximin dhe ndershmërinë për t’u përballur me interesat që kanë kapur qytetin.
Qori kritikoi edhe mënyrën se si është menaxhuar situata institucionale, duke e cilësuar si të nxituar dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti, pa pritur një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Do të ishte një precedent i paprecedentë dhe një pafytyrësi e madhe nëse Gjykata Kushtetuese thotë ‘pezullohet dekreti’, ndërsa qeveria vazhdon me zgjedhjet.
Nëse vendimi jepet më 2 nëntor dhe zgjedhjet mbahen pas 7 ditësh, do të ishte qesharake për të gjithë procesin.
Presidenca ka gabuar rëndë, duke nxituar të shpallë zgjedhjet para se të përfundojë shqyrtimi në Kushtetuese.



