Ivana Trump, gruaja e parë e Donald Trump, ka ndërruar jetë sot në Nju-Jork, në moshën 73-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur vetë ish-presidenti në rrjetin e vet social.
“Jam shumë i pikëlluar të informoj të gjithë ata që e donin, të cilët janë shumë, se Ivana Trump ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Nju Jork City”, postoi Trump në Truth Social.
“Ajo ishte një grua e mrekullueshme dhe e bukur, e cila bëri një jetë të mrekullueshme dhe frymëzuese. Krenaria dhe gëzimi i saj ishin tre fëmijët e saj, Donald Jr., Ivanka dhe Eric. Ajo ishte aq krenare për ta, siç ishim të gjithë aq krenarë për të. U prehsh në paqe, Ivana!”
Edhe familja Trump lëshoi një deklaratë. “Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të nënës sonë të dashur, Ivana Trump. Nëna jonë ishte një grua e jashtëzakonshme – një forcë në biznes, një atlete e klasit botëror, një bukuri rrezatuese dhe nënë dhe mike e kujdesshme”.



