
Aeroporti Manado i Indonezisë u mbyll për 24 orë për shkak të hirit vullkanik që arriti në zonë pas pesë shpërthimeve të regjistruara nga vullkani Ruang.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria lokale e Transportit.
Aeroporti ndërkombëtar, i vendosur 100 kilometra larg vullkanit, u detyrua të mbyllet “pas përhapjes së hirit vullkanik që mund të rrezikojë sigurinë e fluturimeve”, siç shpjegoi në një njoftim Ambar Suryoko, drejtor i autoritetit portual të provincës.
Autoritetet urdhëruan më shumë se 11 mijë persona të largoheshin nga zona. Vullkani në anën veriore të ishullit Sulawesi ka pasur të paktën pesë shpërthime të mëdha në 24 orët e fundit, sipas Qendrës Indoneziane për Vullkanologjinë dhe Zbutjen e Fatkeqësive Gjeologjike. Autoritetet kanë ngritur alarmin për vullkanin në nivelin më të lartë.



