
Pedagogu i Arteve Ardian Isufi tha në emisionin “Fol” të gazetarit Erjon Skëndaj në MCN TV se rritja e pagave të pedagogëve të universiteteve është çështje interesi kombëtar, pasi lidhet direkt me cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimin shkencor.
Shumë e qarta sindikata dhe peticioni për rritje të buxhetit. Me GDP-në të paktën të shkojë në 5 për qind. Kryeministri i pari e di shumë mirë që rinia po ikën, s’ka më studentë. Shqetësimi i sindikatave vjen për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Është çështje interesi kombëtar dhe jo loje ping-pongu. Kryeministri të shohë sa është paga mesatare e një lektori në Kosovë, apo në Maqedoni. Më shumë është bërë indeksim se sa rritje pagash. Kjo është një çështje që s’jep zgjidhje esenciale. Edhe me rritje 50 për qind për dy vite akademike nuk i afrohesh Kosovës. Asistenti i ri është 480 deri në 500 e ca mijë lekë, një lektor nuk e arrin 600 mijë lekë të vjetra. Një pagë me dinjitet rrit cilësinë e mësimdhënies. Fatkeqësisht e kam menduar largimin nga Shqipëria. Sindikatat kryeministri t’i shohë si partner jo si kundërshtar”.
Profesori Lush Susaj e cilësoi Ramën si grevëthyes, ndërsa tha se u janë bërë presione familjarëve të pedagogëve në protestë. Ai tha se pedagogëve u janë dërguar SMS gjatë orëve të natës nga shefat e departamenteve.
Kryeministri mund të thotë çfarë të dojë sepse aty nuk ka kush e kundërshton! Ai është grevëthyes, i ka detyruar profesorët të shkojnë aty. Sepse vendi i nderit për çdo profesor ka qenë të respektojë rregullat e grevës. Ne kemi dalë të kërkojmë pagat, jo fondet e BE. Sa për fondet e qeverisë, kryeministri duhet ta kuptojë pas 9 vjetësh, ku i ka bërë universitetet më nepotike...Jam profesor, jam njeri i lirë, nuk i thyej kujt grevën. Nuk duhet ta bënte atë punë në asnjë lloj rrethane. KLSH të shohë se kush i merr lekët e projekteve, janë 5-6 vetë, 10 vetë, që i janë lëpirë Berishës dhe tani i lëpihen këtij. Ky i avancoi më tepër të këqijat që bënë ata. Ne kemi dalë të kërkojmë pagën bazë. Kolegu im në Prishtinë merr 1500 euro, unë marr 800 euro. Edhe sikur të ma rrisë kryeministri 50 për qind, prapë se zë kolegun e Kosovës. Po na sulmojnë familjarët. Mbrëmë në 1:00 të natës u kanë çuar kolegëve SMS shefat e departamenteve. Më datën 17 shpresoj të dominojë arsyeja dhe këta njerëz të ditur t’ju rritet rroga minimumi 30 për qind. Nëse nuk rritet rroga unë jam për protestë dhe s’ia dëshiroj askujt që e quan veten profesor të thyejë protestën dhe të mos i rrijë vendimit të sindikatës”.



