
Një 19-vjeçare e infektuar me Covid-19 ka sjellë në jetë foshnjën e saj të parë, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku dhe po kurohej.
Lajmin e ka bërë me dije mjekja Alma Cani e cila ka postuar edhe një video në profilin e saj në Facebook, ku shihet nëna e re dhe i porsalinduri.
Të voglin, prindërit kanë vendosur që ta quajnë Noel dhe sipas mjekes Cani, lindja është kryer me sukses.
“Mirëserdhe Noel në jetë! Lindja jote na jep forcë! Në Spitalin “ Shefqet Ndroqi” Covid-19, lind 19-vjeçarja e sëmurë me Covid 19. Realizohet lindja me sukses në ambientet e spitalit Covid 2 në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e spitalit Obsetrik-Gjinekologjik “Koço Glozheni”.
Urojmë që lajme të tilla të bukura t’i ndajmë me ju çdo ditë! Gëzimi juaj është forca jonë për ta vazhduar këtë luftë deri në fund me fitore për Triumfin e Jetës!”, shkruan mjekja Cani.



