
Ndërkohë që numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë po shkon drejt fundit, deri më tani asnjë prej forcave politike nuk ka arritur shumicën për formimin e qeverisë.
Politologu nga Kosova, Hysen Beqa, shprehet për edicionin e lajmeve në MCN TV se si Vetëvendosje ashtu edhe opozita mund të krijojnë një qeveri me mbështetje nga minoritetet, por problemi qëndron te zgjedhja e presidentit, e cila nuk mund të realizohet pa një bashkëpunim mes palëve.
Jemi në një situatë ku opozita ka tre deputetë më shumë, por sipas Kushtetutës, formimi i Parlamentit i takon partisë së parë që ka fituar më shumë vota, në këtë rast Vetëvendosjes, pavarësisht se çfarë konfiguracioni dhe koalicioni mund të bëhen.
Flitet për mundësinë e 80 mijë votave nga emigrantët, të cilat nuk dihen ende se sa do të ndikojnë në përqindje, ato mund të përbëjnë 2-3% të totalit, por jo më shumë.
Edhe VV dhe opozita mund të krijojnë qeveri me mbështetje nga minoritetet, por për zgjedhjen e presidentit, asnjëra palë nuk mund ta bëjë këtë pa një bashkëpunim të ndërsjelltë.
Për shembull, LVV nuk mund ta formojë qeverinë pa LDK-në dhe PDK-në, dhe kjo mund të çojë në zgjedhje të reja vitin e ardhshëm. Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit në tre raunde, shkohet automatikisht në zgjedhje të reja.
Në lidhje me krijimin e qeverisë, Beqa thekson se, megjithëse palët politike nuk kanë treguar ende gatishmëri për koalicione, përvoja e kaluar në Kosovë ka treguar se mund të ketë bashkëpunim mes LVV dhe LDK-së, ose LVV dhe PDK-së.
Ka deklarata, sidomos në dekadat e fundit, ku partitë thonë se nuk do të bëjnë koalicione, por përvoja ka treguar që kjo nuk është një vijë e kuqe përfundimtare.
Mund të ndodhë një koalicion i gjerë mes LVV dhe PDK-së, ose LVV dhe LDK-së, i cili mund të krijojë mundësinë për një qeverisje të stabilizuar dhe për zgjedhjen e presidentit me shumicë, siç kërkohet nga Kushtetuta. Pa një marrëveshje të tillë, nuk mund të ketë një qeveri stabile.
Në fund, Beqa shton se Kurti ka të vështirë të arrijë 500 mijë vota, duke pasur parasysh rënien e masive të mbështetjes për të, për shkak të sjelljes së tij gjatë kohës në pushtet.
Ai mendon se Kurti mund të mos kërkojë zgjedhje të reja, pasi një kërkesë e tillë mund të sjellë më shumë rënie në mbështetje.



