
Në Institucionin e Presidentit të Republikës, në prani të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, ambasadorëve si dhe përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zhvillua ceremonia e betimit para Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, të anëtarit të parë të Gjykatës Kushtetuese, Gjyqtarit z.Besnik Muçi.
Ndonëse Muçi u përzgjodh nga kreu i shtetit para disa ditësh në mesin e katër kandidaturave të dërguara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ai ende nuk ka kaluar vetingun.
Gjyqtari Muçi, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua duke u zotuar se:
“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”
Sipas Komisionit të Posaçëm të Apelimit, Besnik Muçi nuk ka mbyllur ende llogaritë me Vettingun, pasi vendimi për të do të jepet më 4 nëntor.



