
Është ndarë sot nga jeta arkeologia dhe prehistoriania e njohur shqiptare, profesoreshë Zhaneta Andrea. Profesoreshë Andrea lindi në qytetin e Korçës më 22.03.1937, në një familje intelektualësh dhe patriotike korçare.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, mandej vijoi studimet universitare në Fakultetin Histori-Filozofi, dega Arkeologji, pranë Universitetit të Sofies, në Bullgari.
Vlen për t’u theksuar që në vitin 1962 ajo iu bashkua grupit të parë të arkeologëve shqiptarë dhe ishte ndër ta e para grua që i dedikoi jetën akademike kërkimeve mbi prehistorinë shqiptare.
Puna kërkimore e Zhaneta Andreas përfshin një gamë të gjerë temash, duke nisur me vendbanimet e Neolitit tek ritualet mortore të periudhës së Bronzit dhe të Hekurit. Profesoresha ka qenë pjesë e një sërë ekspeditash arkeologjike, nga Veriu në Jug të vendit, si: vendbanimi i Zagorës në Shkodër, vendbanimet shpellore të Blazit dhe Nezirit në Mat, varreza tumulare e Bujanit në Tropojë, vendbanimi neolitik i Cakranit në Fier, nekropoli i Gërmenjit në Lushnje, tuma e Cerrujës në Gramsh. Korça e saj do zinte një vend të rëndësishëm të punës kërkimore. Në vitet ‘60 ajo kreu ekspedita informative në rrethin e Korçës, dhe vijoi më pas me pjesëmarrjen në gërmime në vendbanimet e Podgorisë dhe Maliqit dhe me drejtimin e gërmimeve në disa varreza tumulare të prehistorisë së vonë, në Barç, Kuç i Zi dhe Shuec, të cilat u kurorëzuan me botimin në vitin 1985 të monografisë me titull “Kultura ilire e tumave në Pellgun e Korçës”.
Zhaneta Andrea është autore e një numri të shumtë artikujsh shkencorë, të botuar brenda dhe jashtë vendit, duke mbetur kështu një referencë e rëndësishme për studimet prehistorike të Shqipërisë.



