Tridhjetë e dy vjet pas katastrofës bërthamore, Çernobili do të ndryshojë në kahun e kundërt sa i përket prodhimit të energjisë. Një central i dytë i energjisë diellore do të ndërtohet, me financim nga Spanja. Lajmin e ka konfirmuar për agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti, ministri i Ekologjisë në Spanjë, Angel Sanchez.
Ukraina dhe Spanja kanë rënë dakord për financimin e një projekti, sipas standardeve që përcakton protokolli i Kiotos për gazet serrë. Spanja do të investojë 1 milion euro për ndërtimin e centralit, projekti për të cilin është në fazën e hartimit.
Protokolli i Kiotos është një traktat ndërkombëtar, i arritur me qëllim uljen e emetimit të gazrave serrë. Ai u nënshkrua në vitin 1997 dhe hyri në fuqi në vitin 2005. Më shumë se 190 shtete u bënë pjesë e kësaj marrëveshjeje, në kuadër të së cilës vendet e zhvilluara ranë dakord të ndihmojnë vendet me më pak burime për të mbrojtur mjedisin. Në këtë aspekt, shtetet e BE dhe aleatët e tyre u zotuan të shpenzojnë 410 milionë dollarë në vit. Fondet për ndërtimin e centralit të ri në Çernobil varen nga kjo marrëveshje.
Reaktori 4 në uzinën bërthamore të Çernobilit shpërtheu në vitin 1986, duke sjellë si pasojë një nga katasfrofat më të rënda bërthamore në historinë e globit. Që atëherë, zona rreth objektit është bërë e papërshtatshme për të jetuar për shkak të kontaminimit.
Megjithatë, autoritetet ukrainase kanë ofruar rreth 25 kilometra katrorë të zonës për projektet diellore dhe kanë marëë më shumë se 60 propozime nga investitorë të huaj nga Danimarka, Gjermania, Kina dhe SHBA.
Kur të përfundojë, centrali i financuar nga Spanja do të bëhet objekti i dytë i tillë në zonën e Çernobilit. Fabrika e parë me 1 megavat u hap vitin e kaluar dhe ndodhet rreth 100 metra nga sarkofagu mbrojtës që mbulon reaktorin e dëmtuar nga shpërthimi i vitit 1986.



