
Për të dytën ditë me radhë banorët e Rinasit kanë bllokuar rrugën që çon drejt aeroportit “Nënë Tereza”, pas bërjes së saj me një sens lëvizje.
Në një moment ka pasur edhe tensione dhe përplasje me policinë, e cila ka tentuar që t'i shpërndajë për të hapur rrugën, duke zhbllokuar njërën anë të saj.
Duke folur për MCN TV, një banor tha se bllokimi i rrugës i bllokon në shumë drejtime, si për shkollën, blerjet dhe punën.
Ne na prek për shumë gjëra kjo rrugë që është bllokuar, s’kemi ku lëvizim duhet të rrimë brenda në shtëpi. Duhet të shkojmë nga Vora për të ardhur në shtëpinë tonë. Nuk na kanë thënë asgjë, kur dolëm për në punë, u bllokuam. Ndodhi dhe aksident e hodhi biçikletën matanë.
Banorët shprehen se nëse nuk hapet rruga deri ditën e nesërme, nuk do i çojnë fëmijët në shkollë dhe do të bllokojnë aeroportin, pasi me ndryshimin e ri iu duhet të bëjnë 25-30 kilometër rrugë më shumë.
Jemi mbyllur brenda në burg pa afat. Jemi dënuar me arrest shtëpie.
Ata paralajmërojnë se do të bllokojnë edhe rrethrrotullimin që çon në aeroportin "Nënë Tereza", në rast se nuk marrin zgjidhje për problematikën e tyre.
Banorër paralajmëruan protestë sërish ditën e nesërme në orën 10.00, bashkë me fëmijët, të cilët nuk do i çojnë në shkollë.
Gjithçka pas vendimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, se duke nga 1 maji, mjetet që vijnë nga zona e veriut duhet të ndjekin itinerarin e lëvizjes Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.
Banorët kanë dalë në protestë pikërisht në zonën e “Urës së Hajdutëve”, nyja që lidh me Kamzën, e cila është bërë me një sens lëvizje, ku për të shkuar në autostradë nuk lejohen të kalojnë.
Me bërjen e rrugës me një sens drejtimi, banorët për kthim nga Rinasi, duhet të kalojnë te Ura e Gjolës, Fushë Prezë dhe më tej tek rrethrrotullimi i Vorës.



