
Çdo prind ka mënyrën e vet të të qenit prind, por shpesh hasim dy stile kryesore: prindër autoritarë dhe prindër më tolerantë, që tentojnë të krijojnë marrëdhënie miqësore me fëmijët.
Në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, psikologia Anxhela Peza dhe aktivistja/prindi Suela Koçibellinj diskutuan se çfarë do të thotë të kesh një autoritet të shëndetshëm si prind, dhe ku qëndron balanca mes të qenit prind apo “shok” për fëmijën.

Psikologia Peza thotë se prindi duhet të mbajë rolin e tij autoritar në rritjen e fëmijës por se kjo nuk do të thotë që prindërit nuk mund të jenë të afërt apo empatikë me fëmijët.
Prindi nuk është shok, është figurë unike në jetën e fëmijës.
Një prind nuk mund të jetë vetëm shok i fëmijës. Secili ka rolin e vet në jetën e fëmijës, ka prindër, ka motra e vëllezër, miq, kushërinj.
Por prindi është unik në rolin e tij. Ai është udhëheqës, edukues, mbështetës. Dhe ky rol nuk duhet ngatërruar me atë të një shoku të zakonshëm.
Po, mund të flasim me gjuhën e tyre, të jemi të hapur, të komunikojmë si një shok kur situata e kërkon.
Por roli ynë nuk ndryshon, ne jemi dhe mbetemi prindërit, dhe kjo ka një peshë dhe përgjegjësi që nuk mund të delegohet.
Nga ana e saj, Suela Koçibellinj, nënë dhe aktiviste për të drejtat e fëmijëve, theksoi rëndësinë e autoritetit të shëndetshëm:
Fëmijët nuk zgjedhin prindërit e tyre, prindërit janë dhuratë e jetës. Por ne si prindër kemi për detyrë të jemi autoritete të shëndetshme, jo figura që imponohemi me ndëshkime apo frikë.
Autoriteti i mirë nuk do të thotë ashpërsi, por përgjegjësi për t’i udhëhequr fëmijët me dashuri, drejtësi dhe mirëkuptim.“Fëmija është një individ më vete. Ai nuk është thjesht ‘fëmija jonë’, por një qenie në zhvillim që ka nevojë për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të ndershme me prindin. Autoriteti i shëndetshëm i mëson fëmijës si të vendosë kufij, si të jetë i përgjegjshëm, pa e shtypur zërin e tij.
A duhet të jemi shokë apo prindër për fëmijët tanë?
Përgjigjja nuk është bardh e zi. Mund të jemi prindër që krijojmë hapësirë për dialog, për ndarje emocionesh, për empati. Por gjithmonë në rolin e një figure udhëheqëse dhe mbrojtëse dhe jo thjesht një shoku që nuk vendos kufij.
Në fund të ditës, një marrëdhënie e shëndetshme prind–fëmijë nuk ndërtohet as me frikë, as me një liri të pakufizuar por me ekuilibër, dashuri dhe drejtësi.



