
Serbia vendosi sot se duke filluar nga data 20 dhjetor çdo qytetar i huaj që futet në vend duhet të ketë kryer testin e PCR-së, i cili dallon nëse virusi është ose jo aktiv. Kjo do të vlejë edhe për shtetasit serb të cilët do të futen në vendin e tyre. Gjithsesi për këta të fundit do të ketë edhe një tolerim në rast se pranojnë që t’u nënshtrohen 10 ditëve karantinë.
Sipas ministres së Punëve, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Darija Kisiq Tepavçeviç, masat e ndërmarra deri më tani kanë dhënë frytet e veta, por numrat vijojnë të jenë sërish të larta.
Në Serbi duke filluar nga ora 17:00 çdo aktivitet tjetër përveçse atyre të ushqimit, farmacive dhe pompave mbyllet.
Qeveria e Serbisë u bëri apel të gjithë qytetarëve që duan të testohen në baza vullnetare, që të caktojnë terminin për test ekskluzivisht në mënyrë elektronike, në mënyrë që të shmangen turmat dhe radhët para ambulancave të COVID-19. Në 24 orët e fundit, Serbia shënoi 53 viktima dhe 5884 të infektuar me koronavirus.



