
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me anë të një deklarate për mediat, sqaron arsyen e rritjes së çmimit të disa prej teksteve shkollore të klasave të ndryshme të sistemit parauniversitar.
Në katalogun e teksteve për vitin shkollor 2018-2019 vihet re një rritje e konsiderueshme e çmimit të disa prej teksteve të klasave të ndryshme, një shqetësim ky që është ngritur ditët e fundit në media dhe rrjetet sociale.
Por në deklaratën e saj, Ministria e Arsimit sqaron se rritja ka prekur tekstet e reja që synojnë ndërtimin e kompetencave të komunikimit, logjikës dhe qytetarisë, duke bërë të mundur që fëmijët shqiptarë të mësojnë me tekste si fëmijët në Evropë.
“Teksti i ri i ndërtuar mbi një kurrikul të re dhe i marrë nga “Oxford”, “Cambridge” apo “Pearson”, ka çmim të ndryshëm nga teksti i vjetër i realizuar në Shqipëri, por i pakrahasueshëm në cilësi. Çmimi qëndron i pandryshuar në vitet në vijim dhe ndryshon vetëm sipas indeksimit të normës së inflacionit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Rritja e çmimit të teksteve shkollore vjen në të njëjtën kohë me nismën e Ministrisë së Arsimit për të shpërndarë falas tekstet për nxënësit e arsimit bazë. Për herë të parë sivjet, nxënësit e klasave I-IV do të pajisen me tekste shkollore falas, të cilat duhet t’i kthejnë në fund të vitit shkollor.



