Shqipëria ka shënuar sot 24 raste të reja me Covid-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infektuarve në 518 persona.
Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se deri tani janë konfirmuar 518 raste.
“Shqipëria sot konfirmon 518 të prekur nga COVID-19, ose 10.7% të rasteve të testuara pozitive në më shumë se 4800 testime të kryera. Një raport ky i pranuar nga OBSH për testimin, gjurmimin dhe izolimin e rasteve të dyshuara”, tha Manastirliu.
Nga Kuvendi, ajo deklaroi se personeli mjekësor është testuar pa ndërprerje si një grup risku dhe mbi 800 testime janë kryer.
Sipas saj, fatmirësisht më pak se 9% e personelit të testuar rezultojnë të prekur dhe më shumë se gjysma e tyre janë të shëruar.
"Do të vijojmë të mbrojmë mjekët duke garantuar testim dhe mbrojtje për ta", tha Manastirliu.
Ministrja deklaroi se aktualisht kemi vetëm 14 % të kapaciteteve të spitalit të zënë.
Duke bërë një përmbledhje të të sëmurëve, Manastirliu tha se deri tani në dy spitale janë 12 paciente që janë në terapi intensive.
“Në dy spitalet, COVID 1 dhe COVID 2 aktualisht vetëm 14% e kapacitetit janë të zënë. Po përballemi ende me raste të rënda. 12 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre me frymëmarrje të drejtuar”, tha ministrja.
Instituti i Shëndetit Publik, Dr. Silva Bino.
Përmes një deklarate për mediat, Bino theksoi se ditën e djeshme janë testuar 269 persona të dyshuar me COVID-19, mes tyre 53 janë personel shëndetësor.
Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 24 raste pozitive me COVID19, prej të cilëve 6 janë personel shëndetësor.
Nga rastet e reja 12 i përkasin Shkodrës, dhe kemi 3 raste në Tiranë, 3 raste në Kukës, 3 raste në Fier, 1 rast në Korçë, 1 rast në Kavajë, dhe hartës i shtohet Mallakastra me 1 rast.
4827 raste të dyshuara janë testuar deri në këto momente dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 518 raste.
Një 64-vjeçare nga Tirana mëngjësin e sotëm ka ndërruar jetë, ajo ishte e intubuar prej më shumë se 2 javësh. E shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe ka bërë arrest kardiorespirator. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor të reanimacionit nuk ka mundur të mbijetojë. 64-vjeçarja kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese.
Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
26 pacientë të tjerë gjatë 24 orëve të fundit i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 277.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 prej tyre janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet në Mallakaster dhe zgjerohet në Tiranë, Kukës, Fier, Kavajë, Shkodër dhe Korçë.
Shpërndarja gjeografike
- Tiranë 241 raste
- Durrës 42 raste
- Lushnje 6 raste
- Elbasan 16 raste
- Fier 35 raste
- Kavajë 9 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 19 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 83 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 rast
- Has 13 raste
- Krujë 7 raste
-Tropojë 4 raste
- Pukë 5 raste
- Mirditë 3 raste
- Kukës 9 rast
-Mallakastër 1 rast
Apeli: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale.
Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.



