
Djali që vrau babanë e tij në Remas të Divjakës nuk është akoma i vetëdijshëm për krimin e kryer. Një ditë pas ngjarjes Andrea Stase, vazhdon të vuajë pasojat fizike dhe psikologjike të efektit të alkoolit. Sipas policisë ai e ka kryer krimin në gjendje tepër të dehur, pasi kishte konsumuar një litër raki. Kur është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore, nuk ka deklaruar asgjë. Momentalisht 58-vjeçari ndodhet në dhomat e burgut të Fierit, në pritje të masës së sigurisë.
Krimi brenda familjes ndodhi një ditë më parë në Divjakë, kur viktima 85-vjeçari Dhimitër Stase u rrah e më pas u mbyt me duar nga djali i tij brenda banesës. Sipas burimeve policore shkak i vrasjes ka qenë sherri i bërë midis djalit dhe babait për konsumin e alkoolit. Kritika nga ana e viktimës në drejtim të autorit pse po prishte lekët për të pirë, në vend që të gjente pune, janë bërë pikënisje e debatit që përfundoi me një të vrarë.
Viktima jetonte me 3 djemtë, dy prej të cilëve me probleme të shëndetit mendor. Ndërsa autori i ngjarjes nuk kurohej për probleme të tilla, por vite më parë ai ka kryer një tjetër dënim ne Itali me 13 vjet burgim për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore. Pas daljes nga burgu ai ndërroi emrin nga Kujtim në Andrea Stase.



