Një test online, i formuluar nga 24 pyetje është publikuar nga autoritetet franceze, me qëllim për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre qytetarëve, të cilët dyshojnë se mund të jenë prekur nga koronavirusi.
Pyetjet janë miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila i publikoi në faqen e internetit maladiecoronavirus.fr.
Testi, përmban pyetje nga më të zakonshmet në lidhje me simptomat që mund të kenë përjetuar ata njerëz që janë infektuar nga Covid-19.
Në përfundim të testit, i cili bazohet në një algoritëm që gjurmon zbulimet më të fundit shkencore që lidhen me koronavirusin dhe infektimin e tij, u kërkohet gjithashtu t’u përgjigjen edhe disa pyetjeve që lidhen me peshën, gjatësinë, moshën dhe informacione të tjera për gjendjen e përgjithshme shëndetësore.
Pas pyetësorit ata këshillohen nëse duhet të kërkojnë konsultim me mjekun, duhet të telefonojnë urgjencën, apo nëse kanë realisht simptoma të virusit.
"Testi nuk është një diagnozë, por një vlerësim për gjendjen e përgjithshme shëndetësore në mënyrë që njerëzit të dinë se ku të drejtohen," i tha AFP, Dr. Fabrice Denis.
Gjatë fundjavës, 2 milionë persona e vizituan faqen dhe më shumë se 1 milionë plotësuan pyetësorin, nga ku rreth 12 për qind e të pyeturve u këshilluan të kontaktojnë urgjencën.
Autoritetet shpresojnë që përmes tij të marrin të dhëna domethënëse për rastet në rritje të të infektuarve, gjithashtu të shmangin mbingarkesën e linjës telefonike të urgjencës./France 24/



