Një ditë pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat, deputeti Mhill Fufi thotë se është njohur me këtë vendim vetëm nëpërmjet medias. Fufi thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim nga PD-ja për përjashtimin.
“Nuk kam njoftim nga grupi i PD-së për përjashtimin. Me lajmin jam njohur në media. Nuk jam njohur me ndonjë vendim të grupit për të mos votuar ligjet”, tha ai paraditen e sotme.
Partia Demokratike njoftoi dje përjashtimin e deputetit Fufi, me argumentin se ka thyer bojkotin e grupit parlamentar demokrat, duke votuar krah maxhorancës të gjitha ligjet e parashikuara në seancën e djeshme.



