
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, kanë nisur sot në Shkodër një tur takimesh me demokratët në bazë.
I pyetur nga gazetarët nëse tashmë e njeh Sali Berishën si kryetar, Gazment Bardhi thotë se respekton vendimin e shumicës së anëtarëve.
Kjo është e qartë në gjithë përgjigjet që kam dhënë. Sa kohë e kanë zgjedhur shumica e anëtarëve unë dhe cilido duhet të respektojë vullnetin e shumicës së anëtarëve të partisë.
Për Bardhin procesi i bashkimit ka ndodhur, ndërsa për grupin e deputetëve të Bashës thotë se po ndjekin rrugën e gabuar, ndërsa një ftesë ua bën për bashkim.
Sipas tij çdo demokrat duhet të jetë në luftë me Edi Ramën dhe jo opozitën, ndërsa thotë se nëse zgjedhin rrugë tjetër nuk përfaqësojnë PD-në.
Unë besoj se secili duhet të jetë në PD, nuk dua ti ndaj demokratët në grupime. Secili e ka vendin në PD, krah demokratëve përballë Ramës. Cilido zgjedh rrugë tjetër nuk përfaqëson PD.
Bardhi bëri me dije se turi i takimeve me bazën ka nisur nga Shkodra, të cilën e cilëson si një ‘simbol’ të sulmeve të vazhdueshme nga qeveria, që sipas tij ka deformuar edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku për herë të parë kjo bashki u fitua nga socialistët.
Bashkë me deputetët e këtij qarku, Noka e Bardhi do të zhvillojnë takime me strukturat e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës. Turi do të vijojë më pas në Elbasan e Korçë.



