
Këshilli i Legjislacioni dhe Komisioni i Ligjeve nisën sot shqyrtimin e nismës kushtetuese të propozuar nga opozita e bashkuar për vetingun në politikë. Në nisje të mbledhjes, deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, akuzoi kreun e Kuvendit se synon ta zvarrisë nismën përmes procedurave.
“Ju keni një projekt kalendar të mbledhjeve të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit. Vetëm pas presionit të opozitës ju e shfaqët në faqen e Kuvendit dhe pse kishit detyrimin ta shfaqnit në momentin që u depozitua. Kam përshtypjen se kjo zgjatje që ju e keni parashikuar nuk është gjë tjetër veçse zbatimi i planit tuaj për ta futur në kalendat greke. Neni 77 i rregullores pika 1 përcakton dy gjëra: Përcaktimi i relatorëve dhe përcaktimi i ekspertëve. Duke qenë një çështje e njohur dhe e debatuar edhe nga publiku shqiptar, afati që duhet vendosur për ta mbyllur procedurën në këtë parlament duhet të mos jetë më tepër se një javë. Një javë nga fillimi i kësaj mbledhje. Kjo do ishte në respekt të Kushtetutës. E konsideroj një akt rutinë dhe uroj të mos jetë strategji për ta futur në kalendat greke”.
Ndërsa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se çdo gjë është bërë sipas procedurave që parashikon ligji.
“Fillojmë me prezantimin e nismës. Jam konsultuar me kreun e komisionit të ligjeve dhe këshillit të legjislacionit. Ky është një projekt, nëse do qëndrojë kështu është ekskluzivitet i kësaj mbledhjeje. Ju lutem të ndjekim rendin e ditës, do shkojmë dhe te kalendari. Te publikimi, është zbatuar rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta. Ju kam ndjekur, ndërkohë që njoftova Kuvendin ishte shpërndarë te tavolinat e deputetëve dhe publikuar në faqen e internetit. Ju erdhët me 15 minuta vonesë”, tha Ruçi.
Nisma e opozitës për vetingun në politikë synon të dekriminalizojë plotësisht qeverisjes dhe politikën, të luftojë me tolerancë zero korrupsionin dhe krimin, të ndalojë aleancat mes politikanëve dhe grupeve kriminale si edhe të pastrojë nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë individë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.



