
Dështon takimi i radhës mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
Dy partitë që u angazhuan për qeverisjen e Kosovës me koalicion pas zgjedhjeve të tetorit 2019, nuk arritën as të martën t’i kapërcejnë dallimet e tyre.
As prania e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it nuk e ndihmoi zgjidhjen e ngërçit.
Isa Mustafa këmbëngul në kërkesën e LDK-së për kreun e Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje insistimin e LDK-së për këtë post e quajnë tallje me Kuvendin e Kosovës.
Dje përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it para takimit me LDK-në dhe me Vetëvendosjen dolën me një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se nuk do të ndërmjetësojnë në formimin e qeverisë së vendit, pasi, siç thanë ata, një gjë e tillë u takon qytetarëve të Kosovës.
Albin Kurti, pas takimit me LDK-në dhe me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, deklaroi se nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm, pavarësisht interesimit dhe gatishmërisë së madhe.



