
Analisti Ben Andoni tha në MCN Live se nuk beson shumë te protesta e PD-së, dhe sipas tij opozita do ta ketë të vështirë ta vazhdojë për 72 orë protestën. Andoni theksoi që PD nuk është si një grup i përbashkët përballë këtij korrupsioni që e ka shashtisur publikun. Ndër të tjera analisti vuri në dukje se Presidenti duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Ka një lloj paqartësie të taktikës që do ndjekë PD në këtë protestë. Dosjet e korrupsionit te ne janë të paimagjinueshme, dhe ka një apati të madhe të publikut, sepse është i paorientuar si mund të zhvillohet një alternativë e re në këto kushte. Cinizmi i Ramës në këto momente është i paimagjinueshëm, si të mos ketë ndodhur asgjë. Do jetë e vështirë për opozitën të vazhdojë 72 orë protestën. E para është koha e papërshtatshme. Po afrojnë festat e fundvitit. Një fuqi politike që është gati për të ardhur në pushtet, jo vetëm duhet të ishte e qetë, e strukturuar….PD s’është si grup i përbashkët përballë këtij korrupsioni që publikun e ka shashtisur. Njerëzit s’dinë si të reagojnë. Vjedhja gati është futur në ADN-në e nëpunësve.
Te ne rotacionet e pushtetit duket se më shumë i atribouhen asaj që vjen nga publiku. Është për t’u çuditur si po jeton ky publik me këtë korrupsion kaq të madh. Më vjen keq ta them që opozita e ka ndihmuar indirekt në çdo kohë. Shpresoj që edhe kësaj radhe kontributet e saj të mos shkojnë për të ushqyer mazhorancën. Z.Rama këtij regjimi i ka dhënë formë autokratike. Publiku i pa këta njerëz që ngritën kartonin bashkë për rrogat e tyre, për reformën zgjedhore. Opozita e ka shumë mirë që bën protestën, por duhet të kolaudohet, duhet t’i japë zgjidhje pjesës së foltoreve të Salianjit. Opozita artikulon një lloj kakofonie që nuk zë vend në publik.
Në momente të tilla kur preket siguria kombëtare patjetër Presidenti i vendit duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Me këto skandale që po dalin një nga një tregojnë që vendi ynë ka themele jashtëzakonisht të dobëta. PD duhet të zbresë në bazë, të pajtojë bazën, sepse që nga koha e Bashës strukturat janë ndarë në dy pjesë. Kam frikë se këta sërish do t’i japin pushtet Ramës dhe nëse do e kalojë këtë situatë, do kemi shkërmoqje akoma më të madhe të opozitës. Përgjegjës, përveç Berishës është gjithë Këshilli dhe Kryesia e PD. Nuk besoj shumë te kjo protestë, megjithëse po e pres me padurim”.



