Prej më shumë se 30 vitesh, kanali kryesor i ujitjes që furnizonte zonën e Tërbufit në Myzeqe nuk sjell më asnjë pikë ujë, duke lënë toka të tëra bujqësore në mëshirë të reshjeve.
Fermerët e zonës shprehen se dikur fushat e Myzeqesë ujiteshin rregullisht përmes kanaleve dhe degëzimeve të shumta, ndërsa sot ato janë kthyer në kanale të thata, të mbushura me shkurre dhe të degraduara plotësisht.
“Ka 35 vite pa ujë. Askush nuk interesohet për ne. Ne shohim nga qielli dhe prodhimin e kemi falë Zotit. Punën e bëjmë vetë, por pa ujë nuk mund të prodhojmë si dikur”, – shprehen fermerët.
Sipas tyre, mungesa e ujitjes ka dëmtuar rëndë prodhimin bujqësor në një nga zonat më pjellore të Shqipërisë, e njohur ndryshe si “hambari i vendit”.
Ata thonë se nëse do të funksiononte sistemi vaditës, prodhimi mund të sigurohej disa herë gjatë vitit.Përveç mungesës së ujit, banorët ankohen edhe për mungesën e infrastrukturës rrugore, që vështirëson transportin dhe punën e përditshme në bujqësi.
Për të marrë një sqarim mbi gjendjen e kanalit ujitës, Xhadat iu drejtuan Zyrës Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit. Pas një komunikimi telefonik me specialistët e institucionit, u premtua një reagim zyrtar.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar disa ditë, ende nuk është dhënë asnjë përgjigje për shqetësimin e fermerëve të zonës së Tërbufit.



