Analisti Denis Dyrnjaja mendon që hareja e demokratëve për heqjen e masës “arrest në shtëpi” për Berishën është e pakuptimtë, pasi u rikthyem në realitetin e para një viti, kur Berisha ishte në krye të selisë blu. Duke folur në MCN Live Dyrnjaja theksoi se pikëpyetja e madhe është a është Berisha njeriu që mund të rrezojë Ramën. Sipas analistit, me lirimin Berishës i bie edhe alibia në rast të humbjeve të zgjedhjeve parlamentare.
“Ditë e gëzueshme për demokratët. Duket një hare për mua e pazakonshme dhe e pakuptimtë. Të gëzohesh për atë që ke qenë një vit më para, humbet një vit, rrotullohesh rrotullohesh dhe kthehesh aty ku ke qenë! Është një vit i humbur politik. Dje u gëzuan për kthimin në normalitet të para një viti, pse, sepse Berisha vendosi që të mos i bindej gjykatës, të mos shkonte për detyrim paraqitje, të vetëizolohej në kuptimin e martirizimit politik, sepse mendoi se kjo do t’i kthehej në kapital politik. Ndoshta po, unë mendoj që e ka një kapital politik patjetër, sepse unifikoi PD-në. Të gjithë ata që janë përbetuar që s’do ishin kurrë me Berishën, tani s’kanë asnjë mëdyshje se vetëm ky njeri mund të jetë mbi kokat e tyre. Por a është ky fituesi? A e çon PD-në në pushtet? A është ky njeriu që mund të rrezojë Ramën? Kjo është pikëpyetja e madhe që shumë njerëz besoj e kanë përgjigjen.
Sot dilema është a do të marrë Rama mandatin e katërt qeverisës, apo duhet t’i japim Berishës 80 vjeç, i cili është hequr në 2013-ën me 1 milion vota për korrupsion. Po kërkojmë të heqim njeriun e një regjimi të korruptuar me një njeri të një regjimi po të korruptuar, që është edhe ‘non grata’, ndërkombëtarisht i izoluar, kombëtarisht i izoluar, por i dashuruar nga demokratët. Ka një marrëzi këtu brenda si koncept, por Shqipëria është vend i çudirave. Po i gëzohen normalitetit. Çfarë është normaliteti? Berisha në krye të PD. Ai ishte vjet në krye të PD?! Jemi pak muaj para zgjedhjeve, dhe këta i gëzohen që Berisha doli nga masa e sigurisë, ndërkohë që e kanë partinë të hallakatur. Berisha sot kam përshtypjen brenda vetes së vet është shumë i mërzitur, sepse do i hyjë një halli të madh, që s’ia mban as mosha as pesha dhe do kapë humbjen, do gjejë edhe alibinë, tani s’ka as alibi, ra edhe alibia”.
Dyrnjaja tha se ka informacion që tashmë do të hapet një çështje tjetër po për Sali Berishën.



