
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Mallakastër, Agron Kapllanaj, thotë se humbën nga vetja dhe jo nga kundërshtari.
Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se në Mallakastër ndodhi deri diku ajo që nuk e priste por që ekzistonte një mundësi e kandidatit të vendosur nga Sali Berisha që të bënte dëm dhe rezultoi se ai bëri dëm.
Në fakt nuk humbëm nga kundërshtari, por nga vetja jonë. Humbëm për 288 vota, ndërsa kandidati i Foltores mori rreth 700 vota.
Kur janë dy kandidatë, fryma ndikon, se në fushatë më kanë thënë është e vështirë se jeni dy dhe është kërkuar të tërhiqet kandidati i Berishës.
Pastaj makineria shtetërore ka bërë maksimumin, ka qenë një bandë kriminale që operonte në Mallakastër e cila me të gjitha format e presionit dhe jo demokratike, në fund nuk ia dolën, por iu erdhi në ndihmë kandidati i Foltores.
Takoheshin shpesh me të dhe ndanin zonat ku do të operonte njëri dhe tjetri. Kandidati i Foltores nuk i shërbeu të djathtëve, por të majtëve, kandidatit të PS.
Kam kontaktuar me çdo demokrat me gjithë strukturat e PD dhe me demokratë të thjeshtë, që ndoshta kur unë kam filluar fushatën kanë qenë më të shpërndarë dhe pesimist.
Në fushatë kam parë që pjesa më e madhe e demokratëve janë ofruar. Dhe një pjesë e atyre që kanë votuar kandidatin e Foltores, i kam takuar.
Kandidatura që pritej të fitonte në Mallakastër isha unë. Nuk di pse një pjesë e mirë e tyre nuk e mbajtën fjalën.
Kapllanaj shtoi se strukturat e Partisë së Lirisë në Mallakastër kanë qenë në mbështetjen e tij, pa përjashtim dhe pa asnjë lloj ndrojtje.
Po ashtu tha se drejtuesit e Partisë së Lirisë ishin në takimet elektorale që janë zhvilluar, duke nënvizuar ata para se të jenë drejtues të një subjekti janë qytetarë mallakastriotë dhe kërkonin ndryshimin në Mallakastër dhe për këtë arsye iu bashkuan për të arritur fitoren.
Ndër të tjera sqaroi se ta luftuan për subjektin e tyre për Këshillat Bashkiak, por si kandidat më kanë mbështetur atë.
Për situatën në Partinë Demokratike tha se priste një reflektim nga të gjitha palët.
Nga Partia Demokratike pati një akt prej lidershipi, zoti Alibeaj dha dorëheqjen nga të gjitha postet drejtuese në PD dhe i hapi rrugën procesit brenda subjektit tonë për të hyrë në zgjedhje dhe për të zgjedhur strukturat tona në të gjithë Shqipërinë.
Prisja që të bënte një hap pas dhe Berisha, që të kemi një alternativë më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Duhet të jemi të bashkuar, të gatshëm të sjellim alternativën e re dhe të rezultojmë fitues.
Por pa një alternativë të mirë për shqiptarët, është e pamundur të mposhtim këtë regjim. Të gjithë ata që kanë ambicie të konkurrojnë për kryetarë të PD dhe për strukturat e PD.
Unë do mbështes atë kryetar dhe ato struktura dhe do jem në terren për të sjell PD në pushtet, me kontributin që kam në elektorat.
Berisha mbart mbi shpatulla non gratën dhe është i refuzuar nga të gjithë miqtë tanë perëndimor. Nuk mund të kandidojë për kryetar partie, kur ai është e keqja. Është ai që sulmoi selinë e PD.
Me gjuhën e tij të vrazhdë, shan dhe fyen dhe intimidon një pjesë të mirë të deputetëve dhe drejtuesve të PD. Ne duhet të zgjedhim një alternativë tjetër që të jetë larg shantazheve dhe gjuhës së urrejtjes.
Na duhet një lidership tjetër që të ketë qasje tjetër me qytetarët shqiptarë. Berisha është ai që nuk ka bërë asnjëherë garë mes vetes dhe nëse ka tentuar dikush, e ka larguar dhe dëbuar nga Shqipëria.
Berisha nuk pranon njerëz që ta kritikojnë dhe t’i thonë të vërtetën, do vetëm servila. Është e vështirë që nëse Berisha futet në konkurrim me këto struktura që janë, ka një dominim dhe ne nuk e mohojmë dot.
Pasi dhe pjesa e strukturave një pjesë e mirë e tyre, janë prej shumë vitesh. E identifikojnë PD vetëm me Berishën.
Por e kanë gabim se nuk është Berisha ai që mund të përfaqësojë demokratët, por edhe shqiptarët.
Kapllanaj tha se rezultati i 14 Majit si për Partinë Demokratike dhe koalicionin Bashkë Fitojmë është kambanë alarmi që kërkon reflektim të thellë si për drejtuesit në qendër dhe ata në bazë.
Demokratët kërkojnë që të bëhemi bashkë për të mundur regjimin e Edi Ramës. Ka interesa të vogla që mbajnë peng demokratët dhe zhvillimin e Shqipërisë.
E vetmja pengesë që mban peng bashkimin e demokratëve është Berisha, nëse ai largohet nesër ne kemi një PD të bashkuar, dhe demokratët kanë etje për të rrëzuar regjimin.



