
Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, gjenerali Vladimir Padrino deklaroi sot se vetëshpallja e shefit të Parlamentit, Juan Guaido si president i përkohshëm, është një grusht-shteti në zhvillim.
“Njoftoj popullin venezuelas se një grusht-shteti është përgatitur kundër institucioneve, kundër demokracisë, kundër Kushtetutës tonë, kundër presidentit Nicolas Maduro, presidenti jonë i ligjshëm”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp i rrethuar nga anëtarët e komandës së lartë ushtarake.
Juan Guaido, presidenti i Parlamentit venezuelas, që kontrollohet nga opozita, u vetëshpall dje president në detyrë të vendit para mijëra përkrahësve të mbledhur në Karakas.
Gati të gjitha vendet e Amerikës Latine dhe asaj Veriore kanë njohur Guaido si president i përkohshëm i Venezuelës.
Ndërsa Papa Françesku po ndjek nga afër situatën në Venezuelë dhe Selia e Shenjtë mbështet të gjitha përpjekjet për të kursyer popullin e saj nga vuajtjet e mëtejshme, tha Vatikani të enjten.
Por në deklaratën e saj të parë mbi krizën, Vatikani nuk mbajti anën e asnjë pale mes Nicolas Maduro, i cili u zgjodh president me një votim të vitit të kaluar, që gjerësisht konsiderohet si i manipuluar dhe kreu i kongresit Juan Guaido, i cili u deklarua të mërkurën si president i përkohshëm.
Papa argjentinas, Papa i parë i Amerikës Latine, është aktualisht në një vizitë në Panama.
"Në Panama, Ati i Shenjtë është informuar për lajmet që vijnë nga Venezuela dhe po ndjek nga afër situatën ndërsa zhvillimet vazhdojnë", tha zëdhënësi Alessandro Gisoti.
"Ai po lutet për viktimat dhe për të gjithë njerëzit e Venezuelës. Selia e Shenjtë mbështet të gjitha përpjekjet që ndihmojnë në shpëtimin e popullsisë nga vuajtjet e mëtejshme, "tha ai.
Në vitin 2016, Vatikani mblodhi bisedime ndërmjetësuese mes Maduro dhe opozitës, me pak sukses.



