Më shumë se një dekadë më parë politika e sotme ishte në karrige të ndryshme nga sot. Kryeministri aktual z.Edi Rama ishte lider i opozitës dhe më 21 Janar 2011 në krye të një proteste politike në të cilën mbetën viktima katër protestues të pafajshëm.
Ndërsa z.Sali Berisha i cili sot ndodhet në arrest, 13 vite më parë ishte në zyrën e kryeministrit duke patur disa versione për ngjarjen me katër viktima.
Të vetmit që s’kanë ndryshuar në kërkesat e tyre për të patur një përgjigje për humbjen e katër jetëve ishin familjarët e viktimave. Krijimi i Prokurorisë së Posaçme njohur si SPAK rindezi një shpresë edhe tek e veja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika. Ajo depozitoi një kallëzim penal duke kërkuar që zinxhiri komandues i shtetit e gardës në 2011 të hetoheshin për vrasjen.
E po ashtu edhe për autorësinë e vrasjes së bashkëshortit të saj pasi edhe 13 vite më pas ende drejtësia shqiptare s’ka mundur të përcaktojë se nga cila armë u qëllua Aleks Nika. Më 16 shkurt 2023 Mark Nika, xhaxhai Aleks Nikës, Rajmonda Nika, Mahmude dhe Rinaldo Mytaj, Caush dhe Ana Veizi, Ilmi dhe Trendafile Deda me postë depozituan kallëzimin në SPAK.
Kërkesa e tyre ishte të hetoheshin Berisha, Basha, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Kallëzimi i tyre i konsideronte këta shtetas si grup i strukturuar kriminal dhe veprimet të kryera në bashkëpunim për të varë të afërmit e tyre e më pas manipulua provat, nga serveri i pamjeve e deri tek predha e gjetur në trupin e Nikës. Por SPAK me argumentin se kjo çështje tashmë po hetohet nga Prokuroria e Tiranës njoftoi familjarët e viktimave se kallëzimi i tyre s’ishte pranuar dhe po e dërgonin tek akuza e kryeqytetit.
Emisioni FactCheck risjell përgjigjen e firmosur nga z.Dumani më 24 shkurt 203 ku ndër të tjera thuhet
Për këtë arsye, referuar nenit 75/a, 76 dhe 28 te K.Pr.Penale ju përcjellim për kompetencë lëndore materialin kallëzues me nr. K.137 prot., date 16.02.2023, me qëllim vlerësimi nga ana juaj. Nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, atëherë aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale”.
Me këtë përgjigje dhënë familjarëve të viktimave të 21 Janarit nuk u pajtua e veja e Aleks Nikës, Rajmonda e cila trokiti në Gjykatën e Posaçme, Apelin e Posaçëm dhe më pas në Gjykatën e Lartë me Rekurs. Më 13 shtator Gjykata e Lartë regjistroi rekursin për t'i dhënë përgjigje përfundimtare më datë 12 mars 2024.
Vendimi i kolegjit penal të gjykatës së lartë ishte
Ndryshimin e vendimit nr. 92, datë 21.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendimit nr. 107, datë 29.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – gjyqtarit për hetimet paraprake pranë asaj gjykate dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023”.
Pas 13 vitesh tashmë duhet që Prokuroria e Posaçme të vendos nëse do t’i vërë në akuzë Berishën, Bashën dhe ish-drejtuesit e Gardës së Republikës apo sërish me argumentin se ky hetim po ndiqet nga Tirana do të rishpall moskompetencën. Rajmonda Nika dhe Mark Nika kanë deklaruar se provën e re audiopërgjim të cilën ata disponojnë tashmë do t’ia vendosin në dispozicion SPAK-ut.
Për të arritur deri në këtë vendim të Gjykatës së Lartë, kallëzimet ndaj Berishës e Bashës s’janë vetëm të familjarëve të viktimave. Më herët ata janë kallëzuar penalisht nga Damian Gjiknuri në cilësinë e Sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste. Emisioni FactCheck sjell një kopje të këtij kallëzimi që mban datën 25 Janar 2023 e po ashtu edhe nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, kallëzim i bërë më 23 Janar 2023.



