Aktiviteti i sigurimeve të jetës ishte praktikisht në stanjacion gjatë 2015-ës. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se pesha e këtij tregu ndaj totalit ra në 7.3%, nga rreth 9% që zinte një vit më parë.
Përjashtim edhe këtë vit bëri sigurimi privat i shëndetit, ndër të paktët produkte vullnetare në rritje dhe që tashmë zë 4.2% të tregut. Në total primet e shkruara bruto të jetës gjatë vitit 2015, arritën në rreth një miliard lekë ose 0.04% më pak se në vitin e kaluar. Ndërsa vlera e dëmeve të paguara për po të njëjtën periudhë u rrit me rreth 102% krahasuar me vitin paraardhës duke kapur shifrën e rreth 188 milionë lekëve në total.
Nga tri shoqëritë që operojnë në këtë treg rënien më të thellë të primeve të shkruara bruto e shënoi kompania shtetërore, për të cilën është përcaktuar së fundmi edhe çmimi i privatizimit. INSIG gjatë 2015-ës shënoi rënie të të ardhurave nga sigurimet me rreth 29%. Kjo bëri që dy kompanitë e tjera të rrisnin pozicionimin në treg.
Sigal Life Uniqa Group Austria gjatë vitit 2015 rriti përqindjen në treg në rreth 66% nga rreth 64.4% që kishte në vitin 2014, ndërsa Sicred e mbylli vitin me rreth 26% ndaj totalit.



