
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur për herë të parë për ndalimin e ish-liderit të Vetëvendosjes Alibin Kurtit. Në një intervistë për "KosovaPress" kreu i qeverisë është shprehur se mbajtja e Albin Kurtit në burg për shkak të kundërshtimeve të tij politike është e padrejtë.
Haradinaj është shprehur se po të pyetej ai, Kurti do të lirohej që sot. Kreu i Qeverisë e quan të pakuptimtë mbajtjen në burg të tij, ndonëse nuk pajtohet me shumë tema me Kurtin.
“Mendoj së është disi e padrejtë që ai mbet në burg, nëse unë do të vendosja ai sot do të dilte prej burgut, pra nëse do të ishte vendim i imi. Por mendoj që duhet t’i jepet një epilog përndjekjes së deputetëve për shkak të kundërshtimeve të tyre politike, dhe është mirë ta ndal këtë Kosova”, tha Haradinaj.
Në këtë intervistë, Haradinaj flet edhe për dialogun më Serbinë, për të cilin thotë se nuk e sheh vetën të përfshirë. Kreu i ekzekutivit pajtohet që presidenti i vendit Hashim Thaçi të përfaqësoj Kosovën në dialog, por me pjesëmarrjen edhe të partive politike, edhe të zyrës së kryeministrit.



