Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) tejkaloi këtë të hënë shifrën e 10 milionë pasagjerëve ende pa u mbyllur viti 2024.

Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që në Shqipëri brenda 1 viti të hynin kaq shumë vizitorë në 11 muaj të 1 viti, duke e shndërruar kështu aeroportin ndërkombëtar të Tiranës edhe me rritjen më të shpejtë në Europë që nga pandemia, me një rritje 225% krahasuar me 2019.

Pasagjeri me numrin 10 milion për këtë vit në Shqipëri nga Aeroporti i Rinasit ishte holandezi Matin Van Der Meij, i cili vjen në vendin tonë për arsye pune, por planifikon të vijë edhe si turist me familjen e tij në Shqipëri.

Në aktivitetin e organizuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës morën pjesë, zëvëndës kryeministrja Belinda Balluku, anëtarë të kabinetit qeveritar, perfaqësues të trupit diplomatik, medias, përfaqësues të kompanive ajrore, drejtuesi Kastrati Group, Shefqet Kastrati dhe përfaqësues nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se për vitin 2025, Shqipëria synon të presë 12 milionë vizitorë nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, për ta tejkaluar rekordin e sapovendosur.

Ndërsa drejtori operacional i Aeroportit, Piervitorio Farabi tha se ka ndërtuar strategji innovative për menaxhimin e aeroportit, ndërsa kujtoi 100 milionë eurot që janë investuar vetëm në 3 vitet e para.

Në një video mesazh, Drejtori i përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve të Evropës, z.Olivier Jankovec, përshëndeti të pranishmit në ceremoni, në këtë ditë të rëndësishme për aeroportin e Tiranës.

Gjithashtu, TIA së bashku me WizzAir organizuan një lojë shpërblyese, ku pasagjerët e pranishëm në terminal patën mundësinë të fitonin dhjetra bileta për fluturime falas në destinacione të ndryshme në Europë. Festa vijoi përgjatë ditës edhe me shfaqje të ndryshme dhe programe argëtuese, duke e transformuar terminalin në një ambient festiv për të gjithë pasagjerët.