Bashkia e Tiranës ka reaguar lidhur me akuzat e PD-së për një vizitë të kryetarit Veliaj në Paris me avion çarter. Në reagimin e saj, Bashkia e Tiranës shprehet se ajo që PD-ja aludon është një sajesë e ulët, që mund të hidhet poshtë lehtë. Në deklaratë thuhet se Veliaj ka udhëtuar drejt Italisë me një kompani me çmime të ulëta për të vizituar deputetin socialist, Bashkim Fino.
Deklarata
Bashkia e Tiranës hedh poshtë shpifjet e fundit të Partisë Demokratike, lidhur me një gjoja udhëtim që Kryetari i Bashkisë paska bërë dy ditë më parë në Paris.
Kjo është një sajesë e ulët që vetëm zyra e SHQUP-it mund ta fabrikojë dhe sigurisht, si çdo gënjeshtër tjetër e tyre hidhet poshtë lehtë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi ka inspektuar dje rreth orës 10.00 të paradites punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Kopshtit 17, ka udhëtuar për në Itali me një kompani fluturimi “lou kost” për të vizituar deputetin e PS-së, Bashkim Fino, i cili po kurohet prej disa ditësh në shtetin fqinj. Mbrëmjen e djeshme z. Veliaj është kthyer sërish në Tiranë, për të vijuar sot në mëngjes me inspektimin te Parku i Madh i Liqenit, ku edhe deklaroi se i shtohen 25 hektarë hapësirë publike e gjelbërim, si dhe një takim me ambasadoren e Islandës në Tiranë, Estrid Brekkan.
Për ta faktuar këtë po publikojmë edhe biletën e udhëtimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Bashkia e Tiranës dhe kryetari i Bashkisë vijojnë punën e pandalur për kthimin e Tiranës në drejtimin e duhur.



