Debate në Parlament/ Balla: PS-ja s'ka dashuri me Bashën, e ftojmë në dialog për reformën zgjedhore, Bushati: Po përjetojmë krizë vlerash

Debate në Parlament/ Balla: PS-ja s'ka dashuri me Bashën, e ftojmë në dialog për reformën zgjedhore, Bushati: Po përjetojmë krizë vlerash

Në nisje të seancës së sotme parlamentare, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur detyrat e shtëpisë, ndërsa pret lajme pozitive në 18 tetor në lidhje me çeljen negociatat me BE. Teksa në fillim të seancës deputeti Muslim Murrizi nuk la pa thumbuar edhe ftesën e mazhorancës për opozitën lidhur me reformën zgjedhore, duke aluduar për një pazar të mundshëm mes tyre.

Balla iu përgjigj deputetit Myslim Murrizit duke shtuar se: “Harroje ti që kam dashuri për Lulzim Bashën. Gjeja e fundit që mund të më akuzosh kjo është”.

“Edhe pas diskutimeve pesimiste që bëhen shpesh herë, ne do t’i fillojmë bisedimet me BE, pasi Shqipëria i ka përmbushur detyrat e shtëpisë. Italia dhe Greqia, jo vetëm që janë të detyruara, por edhe përmes negociatave ku janë përfshirë ministria jonë e Financave dhe e Jashtmja, ne duam tua njohim sigurimet emigrantëve. Ne kemi pasur vetëm një çështje për reformën zgjedhore, votën e emigrantëve. Votën e emigrantëve e kemi kërkuar dhe e kërkojmë. Paraardhësit tuaj (i kthehet Murrizit) nuk e duan këtë çështje. Sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODHIR, janë detyrime, edhe teksa presim 17-18 tetorin për të kuptuar nga KE datën e mundshme të nisjes së bisedimeve. Rekomandimet e OSBE/ODHIR janë themelore. Nëse i referoheni frymës së kushtetutës merren për bazë rezultatet e fundit në zgjedhje. PD, LSI rezultojnë të jenë parti parlamentare. Për këtë arsye harroje ti që kam dashuri për Lulzim Bashën. Gjeja e fundit që mund të më akuzosh kjo është. Por ama kam respekt për historinë politike të këtij vendi dhe për vijueshmërinë e dialogut politik gjithëpërfshirës. Ndaj në komisionin e Reformës i është lënë një karrige bosh Partisë Demokratike për të ushtruar të drejtën e saj për të dhënë propozime”, tha Balla.

Deputeti opozitar në Kuvendin e Shqipërisë Ralf Gjoni paralajmëroi shumicën se nëse do të ketë një tjetër pakt me Lulzim Bashën për reformën zgjedhore pa marrë në konsideratë propozimet e tyre atëherë do të votojë kundër duke e kushtëzuar votën. Ai tha se shumica dhe opozita e rrugës po vijojnë dashuriçkat dhe flirtimet në kurriz të popullit.

Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka kritikuar sot në Kuvend qeverinë socialiste. Teksa po fliste në Kuvend për marrëveshjen për siguracionet shoqërore për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kanada, Bushati foli edhe për gjendjen ku janë shqiptarët sot. Duke u ndalur në situatën aktuale ish ministri i jashtë theksoi se sot jemi duke përjetuar një krizë vlerash, për të cilat listoi disa arsye.

“ 30 vite më pas mund të themi se jemi në gjendje më të mirë ekonomike. Por jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë. Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje. Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për cfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 550 të tjera. Para se ti drejtojmë gishtin njëri tjetrit duhet ti bëjmë pyetje vetes ku isha unë dy-tre javë para se BE të merrte vendimin për ne, ne do t’ja falim vetes? Cfarë do të thonë fëmijët tanë?“, vijoi më tej Bushati .

Menjëherë pas tij e ka marrë fjalën Taulant Balla, i cili kritikave të tij i dha përgjigje, pa ia përmendur emrin kur tha se “për pesimistët u them se ne do hapim negociatat”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy